Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas rezultateve të Exit Poll-it të publikuar mbrëmë, pas mbylljes së votimeve në gjithë Kosovën. Ai është shprehur i acaruar me parashikimet që u dhanë për Komunën e Mitrovicës, duke i cilësuar ato si “propagandë masive”.
Sipas Kurtit, rezultatet e Exit Poll-it kishin nxjerrë kandidatin e VV-së, Faton Pecin, me humbje të thellë ndaj kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri, çka ai e cilësoi si cenim të votës së lirë të qytetarit
“Është propaganduar masivisht se si po fiton kandidati i PDK-së pa balotazh, madje me fitore të thellë. Minimalisht për 16 pikë përqindjeje ka pasur huqje”, deklaroi Kurti në një konferencë për media.
Kurti shtoi se huqje të ngjashme janë vërejtur edhe në një komunë tjetër, pa e përmendur emrin..
“Këto huqje kanë qenë të njëjta nga disa burime edhe në një komunë tjetër. Kjo do të thotë që ka diçka unike sipër tyre, por i përket organeve të drejtësisë dhe të sigurisë që ta hetojnë dhe hulumtojnë këtë cenim të integritetit të shtetit, përkatësisht të votës së lirë të qytetarëve,” shtoi ai.









