Ferit Idrizi, kryetar i Komunës së Vushtrrisë dhe kandidat për një mandat të ri, bashkë me ekipin e tij vizitoi kompaninë e mobilieve “DEKRA”, një biznes me traditë të gjatë në industrinë e punimit të drurit që nga viti 1948.
Gjatë vizitës, Idrizi u prit nga pronarët Bajram dhe Besart Krasniqi, me të cilët bisedoi për rrugëtimin e kompanisë, zhvillimin e sektorit të prodhimit dhe sfidat e ndërmarrjeve vendore.
Idrizi u shpreh i impresionuar nga përkushtimi dhe cilësia e punës që ofron kjo kompani, duke theksuar se “bizneset si DEKRA janë shembull frymëzues i zhvillimit dhe suksesit vendor”.
Ai falënderoi pronarët për pritjen e ngrohtë dhe përkushtimin e tyre shumëvjeçar në ruajtjen e traditës dhe promovimin e prodhimit vendor.









