Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar fuqishëm ndaj disa personave që sipas tij po tentojnë të ndikojnë te qytetarët me para për ndryshim politik.
Në një mesazh të mbushur me krenari dhe vendosmëri, Lladrovci tha se qytetarët e Drenasit janë kampionë dhe se “Drenica është një, Drenasi 01 me 101 të mira”.
“Mesazhi i Fatkeqit për një qytetar se ia ofroni 5.000 euro për të ndryshuar qëndrim politik, ose të hënën e pret dajaku, është kulmi i pafytyrësisë,” – ka deklaruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se askush nuk mund ta devijojë vullnetin e lirë të qytetarëve të Drenasit, duke i quajtur ata “qytetarë kampionë me 101 arsye për të vazhduar drejt fitores”.
“Larg duart nga qytetarët kampionë! Ata e dinë mirë adresën e tyre politike – Drenasi 01 me 101 të mira. Vazhdojmë edhe katër!” – përfundoi Lladrovci me mesazhin e tij.
Ky reagim vjen në kohën kur gara zgjedhore në Drenas po hyn në fazën e saj më të nxehtë, ndërsa Lladrovci po e konsolidon përkrahjen e tij si një ndër favoritët kryesorë për të udhëhequr komunën edhe për katër vitet e ardhshme.








