Pas arrestimit të Fatmir Shehollit nën dyshimet për spiunazh, analisti politik Vehbi Kajtazi ka shprehur dyshimet për të që, sipas tij, i ka pasur prej vitesh.
Ai deklaroi se sa herë e ka parë Shehollin, nuk është ndjerë mirë.
“Kam pasë dy përballje me Fatmir Shehollin. Kam pasur dyshime të mëdha për këtë person, për vete nuk jam ndjerë mirë sa herë e kam parë në media duke e ditur se kush është ai”, u shpreh Kajtazi.
Sipas Kajtazit, gjatë vitit 1999, Sheholli ka qenë në Beograd për një forum ku, siç thotë analisti, ka mbajtur një fjalim të zjarrtë atje.
“Atje, ai Hashim Thaçin e quante terrorist, NATO-n e quante terroriste, Klintonin e quante terrorist. Ka qenë kohë e luftës sepse në atë kohë, Sheholli ka qenë njëri ndër themeluesit e një partie politike e cila ka përfaqësuar gjoja shqiptarët e Kosovës në Rambuje. Ky është njëri prej këtyre personave si themelues i kësaj partie politike. Ky delegacion ka qenë i rreshtuar në krahun e Serbisë në Rambuje, pra përballë delegacionit kosovar”, u shpreh Kajtazi.
Ndryshe, Prokuroria Speciale në koordinim me AKI-në dhe Policinë e Kosovës ka kryer sot një operacion tjetër, pas hetimeve disa mujore, që rezultuan me arrestimin e Fatmir Shehollit.
I dyshuari u kap nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Spiunazh”, nga neni 124 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.









