Komisioni Disiplinor në Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës ka vendosur pezullim të përkohshëm për Shemsi Elezin, i cili është në pozitën e Inspektorit hetues së konkurrencës, në Divizionin e Marrëveshjeve të Ndaluara të Deparamentit të Mbikëqyrjes së Tregut.
Në vendimin që ka siguroi Sinjali, thuhej se pezullimi do të jetë me kohëzgjatje prej 30 ditëve, duke filluar që nga nesër e deri më 06.11.2025, si dhe ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankesa.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se më 25 shtator 2025 dhe 6 tetor 2025, Komisioni ka pranuar gjithsej pesë kërkesa nga drejtues të AKRK-së, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj Shemsi Elezit, për shkak të shkeljeve të rënda të etikës profesionale, dëmtimit të reputacionit të institucionit, mospërmbushjes së detyrave të punës, neglizhencës në përmbushjen e tyre dhe mosrespektimit të afateve të raportimit.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe vet Elezi, i cili përmes një postimi në ‘Facebook’, ka mohuar akuzat dhe e ka quajtur vendimin të padrejtë e të ndikuar.
“Sigurisht që jeni ndjer keq kur sot keni dëgjuar se unë jam pezulluar nga puna në të cilën punoj me nder dhe krenari që nga viti 2012. Që nga viti 2023 jam duke u përballur me shkelje të drejtave të mia si zyrtar publik. Kjo ka filluar për shkak se nuk kam lejuar të punohet jashtëligjshëm dhe me date 29.11.2023 jam sulmuar fizikisht mbrapa shpine nga Selajdin Beqa. Nga ajo kohë e deri me sot i njëjti qëndron jashtëligjshëm dhe është i mbështetur nga kryetarja e Autoritetit Neime Binaku-Isufi.”, shkroi ai.
Elezi akuzon Beqën dhe Binaku-Isufin për, siç thotë ai, “kthimin mbrapsht të një institucioni të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës”, duke shtuar se ndaj tyre ka ngritur kallëzime penale për keqpërdorime dhe shkelje ligjore.
“Selajdin Beqa prej dhjetorit të vitit 2023, kur është emëruar jashtëligjshëm, ka nxjerrë vendime të dëmshme duke keqpërdorur funksionin publik. Të gjitha vendimet e tij janë të paligjshme dhe nuk duhet të prodhojnë efekt juridik. Deri më tani ka formuar e ndërruar komisione disiplinore me të vetmin qëllim për të më dëmtuar. Edhe ky komision disiplinor është me vendim të tij dhe është nën ndikimin e tij.”.
Ai përmend me emra edhe anëtarët e Komisionit Disiplinor, për të cilët thotë se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Arsim Tërnava, kryesues i Komisionit, dhe Ilrjana Zariqi nuk e kanë zbatuar rregulloren 28/2024 për pezullimin nga marrëdhënia e punës të Selajdin Beqës, edhe pse kjo rregullore ua jepte kompetencën. Anëtari i tretë, Flamur Zogiani, është punësuar jashtëligjshëm.
Pezullimi bëhet vetëm nëse zyrtari publik ka ndikuar apo ndikon në proces. Unë as nuk kam ndikuar dhe as ndikoj. Nuk ka prova që unë kam ndikuar apo kam tentuar të ndikoj.”
Në reagimin e tij, Elezi ka kërkuar që organet hetuese të merren me rastin, duke theksuar se vendimi për pezullim është “i paligjshëm dhe i ndikuar politikisht”.









