Zbardhen detaje të reja dhe reagime tronditëse pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Ngjarja sot dëshmon edhe një herë se si pronat në Shqipëri marrin jetë të pafajshme, madje dhe në sistemin e drejtësisë.
Në qendër të konfliktit është godina e ish-Shkollës së Rezervave në Shkodër. 31 familje janë strehuar aty pas rënies së sistemit. Por në vitin 2012, godina është privatizuar, sipas banorëve në mënyrë të dyshimtë. Po atë vit, 31 familjet e strehuara aty kanë nisur betejën ligjore për pronësinë, që vijoi me vite në gjykatat e vendit.
Gjon Shkëmbi, xhaxhai i Elvisit, të riut që u arrestua sot si autori i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, pretendonte se ishte ai pronar i objektit. Por familjet nuk e lironin godinën duke e akuzuar për falsifikime. Në Gjykatën e Shkodrës pati disa gjyqe mes tyre, ndërsa më pas përfundoi në Apel.
Familjet e strehuara aty, kanë folur për mediat, duke akuzuar institucionet shtetërore dhe ish-kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka, si përgjegjës për konfliktin që degjeneroi në krim.
Në deklaratat e tyre, banorët thonë se familja Shkëmbi nuk ka asnjë dokument pronësie mbi objektin dhe se procesi gjyqësor është i mbushur me “falsifikime dhe manipulime”.

Godina për të cilën palët janë në gjyq
Njëri prej banorëve u shpreh se më herët, Gjon Shkëmbi, xhaxhai i autorit të vrasjes, Elvis Shkëmbi, kishte shkuar i armatosur në godinë, por policia nuk kishte marrë asnjë masë.
“Kemi bërë një gjyq, e kemi fituar, e ka kthyer Gjykata e Apelit. Ka ardhur Apeli i Vlorës e kanë gjykuar në Shkodër, jo Apeli i Shkodrës, edhe ja kanë kthyer detyrat për falsifikim dokumentesh se nuk kishte pronë dhe nuk kishte vendimin e Këshillit të Bashkisë. Kur zhvillohej gjyqi në Shkallë të Parë, e pa se po humbiste gjyqin edhe pushoi çështjen. Tani Gjon Shkambi ka ardhur vjet këtu i armatosur, ka ardhur policia, i kemi thënë e ka armën në makinë, edhe nuk e ka ‘çarë kokën’ policia të shkojë të arrestojë. Fajin e ka shteti. Nuk kanë kurrëfarë prone se e kemi marrë tokën nga Agjencia Kombëtare e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, që Gjon Shkambi nuk ka pronë në Shkodër. Edhe është në vendim të gjykatës atje. I kanë humbur të gjitha gjyqet se nuk kanë dokumente, vetëm kanë bërë falsifikime e manipulime. Se po të kishte dokument, do ta gëzonte”, deklaroi një prej banorëve.

Godina për të cilën palët janë në gjyq
Një tjetër qytetar, gjithashtu i strehuar në të njëjtin objekt, shtoi se për 33 vite këto familje kanë jetuar nën presion gjyqësor dhe kërcënime, ndërsa fajësoi shtetin për gjithë situatën e krijuar.
“Ka ardhur Gjon Shkambi në 2012: është ndërtesa ime, është shtëpia ime. Na ka futur nëpër gjyqe. Kemi investuar sa kemi mundur në të, kemi harxhuar para. Tani e prej kohësh na ka bërë presion është shtëpia ime, duan shtëpinë. Kemi qëndruar në tension prej 33 vitesh, fajin na e ka shteti. Bashkia që na e ka dhënë neve ka shkuar dhe ia ka shitur dhe atij. Asnjë nuk na e ka fajin vetëm bashkia. Neve na ka strehuar në të atij pastaj ia ka shitur. Të gjitha fajet i ka shteti, më zi nuk ka ku të shkojë, se për gjithë këto shtëpia nuk është dashur të vritet gjyqtari. Më parë kishim dalë në rrugë të madhe se sa të vrasësh gjyqtarin. Më mirë të na vriste ne sesa të vriste gjyqtarin pa faj. Shteti na e ka dhënë neve, shteti ia ka dhënë atij, të gjitha fajet i ka shteti”, u shpreh banori.
Ngjarja ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik, ndërsa dëshmitë e banorëve hedhin dritë mbi një histori të gjatë korrupsioni, mosveprimi dhe abuzimesh institucionale që, në fund, u mbyll me tragjedinë e një gjyqtari në detyrë.









