Një sasi tritoli, e vendosur në automjet, e cila mendohet se është aktivizuar me telekomandë, i ka marrë jetën Isuf Jaçajt, 58-vjeçarit nga Saranda. Atentati i mirëorganizuar vijon të mbetet mister, ndërsa pista ku po hetohet është ajo e hakmarrjes.
Viktima ishte në automjet kur sasia e eksplozivit shpërtheu pa i dhënë asnjë shans për të shpëtuar. Nga të dhënat e deritanishme dyshimet se eksplozivi i përdorur ishte tritol, por do të jenë hetimet që do të përcaktojnë edhe llojin e lëndës plasëse.
Nga raportimet mësohet se një grup ekspertësh të krimeve të rënda në Policinë e Shtetit, si dhe xhenierë, kanë udhëtuar nga Tirana drejt Sarandës për të ndihmuar policinë lokale në zbardhjen e ngjarjes.
Ende nuk dihet se sa ishte sasia e eksplozivit që ishte vendosur poshtë automjetit, ndërsa policia lokale ka mbledhur kamerat e sigurisë për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.
Pista kryesore ku janë përqëndruar hetuesit është ajo e hakmarrjes, ndërsa djali i viktimës, Kalus Jaçaj, ezulton i përfshirë në një plagosje me armë zjarri më 17 korrik në Sarandë. Gjithsesi hetimet do të shtrihen edhe në të kaluarën e viktimës, ndërsa raportohet se në 2011 ai ishte objekt i një atentati.
Vetë viktima Isuf Jaçaj i cili u vra mbrëmjen e së shtunës në qytetin bregdetar të Sarandës, mësohet se merrej me turizëm. Ai transportonte pushues me skafe, ndërsa një vit më parë ishte pjesë e një proteste që pronarët e mjeteve ujore kishte organizuar para Bashkisë së Sarandës. Vetëm 3 muaj më parë, 58-vjeçarit kishin tentuar t’i vrasin të birin, i cili ishte përfshirë në një plagosje me armë.









