Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka vizituar sot fshatrat Ropicë dhe Vilanc, ku ka parë nga afër gjendjen e projekteve dhe mungesën e investimeve gjatë katër viteve të fundit.
Tahiri tha se në këto fshatra nuk është realizuar asnjë projekt dhe se bujqit nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga komuna. Ai kritikoi udhëheqjen aktuale për, siç u shpreh, “inat politik” që ka penguar zhvillimin e zonave rurale.
“Eca në këmbë për të parë afër ngecjen. Asnjë projekt këto 4 vite, asnjë mbështetje për bujqit. Mbeturinat në mes të fshatit e para shkollës. Inati politik ka sjellë vetëm ngecje në këto fshatra”, ka thënë Tahiri.
Ai rikujtoi se gjatë mandatit të tij, komuna kishte realizuar disa projekte të rëndësishme në këto zona, duke përfshirë lidhjen e Vilancit me Maxhunaj, përfundimin e ujësjellësit, realizimin e kanalizimit në lagjen e Orrzhanëve dhe fillimin e ndriçimit publik.
“Aty ku e lamë, aty mbeti. Ne do ta vazhdojmë punën për t’i kthyer zhvillimin dhe dinjitetin fshatrave tona”, ka shtuar Tahiri.









