Në nëntor 2016, me fitoren e papritur të Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, shumë në NATO e ndien menjëherë se po vinin kohë të pasigurta. Amerika ka peshën më të madhe politike, ekonomike dhe ushtarake në aleancë, ndaj gjithçka që ndodh në Uashington ka pasoja të drejtpërdrejta për mbarë strukturën.
Në mbrëmjen e zgjedhjeve, bashkë me bashkëshorten Ingrid kishim organizuar një festë të vogël në Bruksel, duke pritur një fitore të Hillary Clinton. Por kur u zgjova në pesë të mëngjesit dhe pashë që Trump kishte fituar Pensilvaninë dhe Ohajon, kuptova se gjithçka kishte ndryshuar.
Ishte e qartë që NATO duhej të krijonte sa më parë një marrëdhënie funksionale me presidentin e ri edhe pse gjatë fushatës ai kishte quajtur NATO-n “të vjetruar” dhe shpesh e kishte portretizuar si barrë për SHBA. Brenda aleancës vendosa rregulla të rrepta: pa tallje, pa komente nën zë, pa ironi ndaj Trump. Një përçmim i tillë, nëse do të përhapej në Uashington, mund të ishte fatal për bashkëpunimin.
Biseda e parë: “Jam fans i madh i NATO-s!”
Në nëntor 2016, në telefonatën e parë me Trump, ai më tha: “Jam një fans i madh i NATO-s!”. Padyshim, një deklaratë që binte ndesh me fushatën e tij, por që unë e përshëndeta. U dakorduam për nevojën që vendet europiane të investonin më shumë në mbrojtje një prioritet edhe për mua. Madje më pyeti për mendimin tim rreth emërimeve të ardhshme, si Rex Tillerson apo Jim Mattis. Nuk isha gati për këto pyetje, por stafi më ndihmoi. Ishte një fillim inkurajues.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë: Nga Korea te Celina Midelfart
Në prill 2017, takova personalisht Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ishte një takim i çuditshëm, joformal dhe shpesh pa një vijë logjike. Nga kërcënimi bërthamor i Koresë së Veriut për të cilin ai pyeti “Pse NATO nuk shkon atje?” te biseda për një biznesmene norvegjeze, Celina Midelfart, që dikur ishte përfolur si e afërt me Trump.
Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe Rusisë. Trump fliste për të sikur ishte një vend si çdo tjetër që i shqetëson SHBA-të. Unë i rikujtova se Rusia është fqinj i përhershëm i Europës dhe duhet një qasje e fortë, por edhe me dialog. Ai u habit kur mësoi që isha norvegjez dhe nisi të fliste për njohje të përbashkëta nga vendi im.
Një takim i çuditshëm por gjithsesi i rëndësishëm.
“Po ç’na duhet Islanda?”
Trump ishte i fiksuar pas kontributit financiar të vendeve anëtare. Kur i shpjegova se vetëm pesë shtete kishin arritur objektivin e 2% të PBB-së për mbrojtje, përmenda Islandën si përjashtim sepse nuk ka ushtri. “Atëherë pse e mbajmë në NATO?” pyeti ai.
Ishte sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, që ndërhyri duke shpjeguar rëndësinë strategjike të Islandës për zbulimin e nëndetëseve ruse.
Samiti dhe fjala që nuk u tha kurrë: Article 5
Më 25 maj 2017, Trump mori pjesë për herë të parë në një samit të NATO-s në Bruksel. Ishte gjithashtu dita kur inauguruam ndërtesën e re të aleancës. Kisha planifikuar gjithçka: fjalimet, ceremonialin, dhe një moment simbolik përpara memorialit të 9/11 (Memoriali në selinë e NATO-s, simboli i solidaritetit që Trump e anashkaloi), ku për herë të parë në histori ishte aktivizuar Neni 5 i traktatit, ai që garanton mbrojtjen kolektive.
Priteshin fjalë të forta nga Trump që do të siguronin aleatët se SHBA qëndronte pas angazhimit të saj. Por në vend të kësaj, ai foli për terrorizmin, për Rusinë, dhe pastaj për financat.
“23 nga 28 vende të NATO-s nuk po paguajnë çfarë duhet”, tha me ton kritik. Nga fjalimi i përgatitur që përfshinte edhe referencë të qartë për Nenit 5 – ai kishte hequr pjesët kyçe dhe shtuar me marker fjalët: “DUHET TË PAGUAJNË”, “NUK ËSHTË E DREJTË”, “2% ËSHTË MINIMUMI!”
Në fund, nuk u përmend fare Neni 5. Në një moment simbolik që duhej të konfirmonte unitetin dhe solidaritetin, Trump e përdori skenën për të bërë llogaritari politike. Disa liderë europianë më kërkuan sqarime më vonë, të shqetësuar për garancinë amerikane ndaj NATO-s.
Midis kaosit dhe strategjisë
Për Stoltenberg, marrëdhënia me Trump ishte një betejë mes realpolitikës dhe karakterit të paparashikueshëm të një presidenti që nuk i përmbahej rregullave diplomatike. Ai mund të ishte i sjellshëm dhe bashkëpunues në biseda private, por shpesh i papërgjegjshëm në publik. NATO, në atë periudhë, qëndroi në këmbë jo për shkak të mbështetjes së qartë të SHBA-ve, por falë përpjekjeve të kujdesshme për të ruajtur dialogun dhe për të shmangur një përçarje fatale./ Përshtatur me shkurtime nga The Guardian
*Jens Stoltenberg – ish Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s








