Hetimet për ekzekutimin e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, 44 vjeç, në zonën e Salarisë në Tepelenë, kanë zbuluar skenarin e vërtetë të ngjarjes.
Sipas mjekëve ligjorë, Sarchi nuk është vrarë menjëherë nga arma e zjarrit. Fillimisht, ai është goditur në kokë me një mjet të fortë, dyshohet dru ose shufër metalike, duke humbur menjëherë ndjenjat.
Vetëm pasi viktima ka qenë i rrëzuar dhe i pafuqishëm, autorët e kanë qëlluar në këmbë. Plumbi nuk i mori jetën menjëherë, por gjakderdhja masive, pa asnjë mundësi ndihme, rezultoi fatale disa minuta më pas.
Ky zbulim ngre dyshime të forta se autorët kanë dashur ta neutralizojnë dhe ta lënë të vdesë ngadalë, gjë që shton edhe më shumë dyshimet për motivin e vërtetë të krimit. Aktualisht, disa persona që kanë pasur kontakte të afërta me italianin janë marrë disa herë në pyetje, por dëshmitë e tyre rezultojnë kontradiktore.
Grupi hetimor po përpiqet të rindërtojë orët e fundit të jetës së Sarchit, ndërsa pista e hakmarrjes apo konflikteve të biznesit nuk përjashtohet.









