Një paralajmërim të ashpër për të ardhmen jep historiani britanik Niall Ferguson, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hoover të Universitetit Stanford, në një analizë të publikuar në The Free Press.
Ferguson ndalet tek transformimi rrënjësor i luftës në Ukrainë, ku teknologjia e dronëve ka përmbysur metodat tradicionale të luftimit.
“Qindra dronë fluturojnë mbi kokë si grerëza vdekjeprurëse, duke vëzhguar objektiva dhe duke goditur për të vrarë. Së shpejti do të jenë mijëra,” shkruan ai, duke përshkruar realitetin e ri të fushëbetejës.
Sipas historianit, zhvillimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës ka qenë marramendës. “Lufta e së ardhmes është tashmë këtu dhe ju nuk keni frikë sa duhet prej saj. Përveç nëse jeni ukrainas, natyrisht”, paralajmëron Ferguson.
Ai kritikon perceptimin ende të mangët të Europës për rrezikun që paraqesin dronët rusë, pavarësisht se tashmë vende si Polonia, Rumania, Estonia dhe ndoshta edhe Danimarka e dinë se hapësira e tyre ajrore mund të penetrohet lehtësisht.
Nga dëshmitë e ushtarëve ukrainas në vijën e parë, del edhe tronditja psikologjike që sjell ky lloj lufte. “Shprehja më e shpeshtë që dëgjon nga ata që kanë shërbyer në front është: ‘Nëse e dëgjon dronin, atëherë je i vdekur’,” citon Ferguson.
Në raport me epërsinë numerike të Rusisë, ai thekson se inovacioni është arma më e fortë e Ukrainës. “Çelësi për të balancuar avantazhin sasior të Rusisë është përparimi cilësor i vazhdueshëm, dhe këtu Ukraina ka shkëlqyer. Por mungesa e gjithnjë e më madhe e forcës njerëzore nuk mund të fshihet,” shpjegon ai.
Ferguson i sheh si të domosdoshme dy hapa urgjentë për Europën dhe Britaninë e Madhe, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po e shohin luftën në Ukrainë gjithnjë e më shumë si një problem europian: rritjen e menjëhershme të ndihmës financiare për Kievin dhe një program të përshpejtuar të riarmatimit. Por, sipas tij, strukturat europiane janë të ngadalta dhe të paafta për t’u përshtatur me mësimet që po jep lufta në terren.
“Agjencitë e prokurimeve, kontraktorët e mbrojtjes dhe vetë ushtritë nuk po furnizohen me armët e duhura mjaftueshëm shpejt, nuk po prodhojnë pajisjet e duhura dhe nuk po ristrukturohen sipas nevojës,” kritikon Ferguson.
Ai thekson se nevojitet një ndryshim i shpejtë i mentalitetit. “Liderët europianë nuk po e kuptojnë se një riarmatim gjerman me shpejtësinë e dritës – ngritja e fabrikave gjigante për prodhimin masiv të dronëve më të avancuar të projektuar nga Ukraina – do të ishte mburoja e Europës, do të jepte shtysë ekonomike dhe do të dobësonte populizmin,” thotë eksperti.
Në fund, ai paralajmëron se europianët nuk duhet të keqinterpretojnë mesazhet që vijnë nga Washingtoni. “Mbi të gjitha, europianët nuk po kuptojnë se kur Trump thotë ‘Fat të mbarë për të gjithë’, në të vërtetë do të thotë ‘Mirupafshim dhe fat të mbarë’,” përfundon Ferguson.








