Sot shënohen dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në këtë përvjetor, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka kujtuar se pas organizimit të këtij sulmi qëndronte Beogradi zyrtar, me synimin për ta aneksuar veriun e Kosovës.
“Vuçiqi u përpoq që të aneksojë katër komunat veriore dhe t’ia bashkëngjisë Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare përveç fjalëve boshe thonë se Serbia duhet ta dorëzojë para drejtësisë kryekriminelin Radojçiq, mirëpo asnjë mekanizëm tjetër nuk e përdorin që ta detyrojnë Serbinë që ta dorëzojë te institucionet e Kosovës”, ka thënë Islami.
Dy vjet pas këtij sulmi, të cilësuar nga institucionet e Kosovës si agresion i organizuar shtetëror nga Serbia, ende nuk ka drejtësi për vrasjen e rreshterit Bunjaku, pasi kryekrimineli Milan Radojçiq vazhdon të mbetet i lirë në Serbi.









