Paraqitja e fundit televizive e Xhavit Halitit, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ringjallur polemikat e vjetra mes UÇK-së dhe LDK-së.
Pohimi i ish-deputetit Haliti se një delegacion i Kosovës, i kryesuar nga Ibrahim Rugova, në një takim me ish-presidentin Bill Clinton kishte propaganduar kundër UÇK-së, ka nxitur reagimin e funksionarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Akuza e Halitit kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe delegacionit të atëhershëm të Kosovës në Uashington, sipas funksionarit të LDK-së, Bajram Gecaj, është e “pabesueshme” dhe përbën “një trillim të ulët”.
Përpos akuzës për propagandë kundër UÇK-së në takim me Clinton-in, ish anëtari i Byrosë Politike të UÇK-së hodhi akuza të tjera të rënda në drejtim të LDK-së. Tha se një zyrtar i LDK-së, në emër të Rugovës, i kishte shkruar një letër ish-presidentit Clinton kundër të dërguarit të ShBA-së në Ballkan, diplomatit Robert Gelbard.
“Nalnu more”, shkroi Gecaj në një shkrim të publikuar në rrjetin social Facebook të martën.
“Xhavit Haliti, sapo u shfaq në T7 me një trillim të ulët: pretendoi se një zyrtar i lartë i LDK-së paskësh shkruar me 1998 një letër SHBA-ve, në emër të Presidentit Rugova, për të kërkuar shkarkimin e Robert Gelbard, vetëm pse po e faktorizonte UÇK-në. Një akuzë e tillë, pa e thënë emrin, është krejtësisht e pasinqertë dhe e pabesueshme”.
Gecaj tha se Haliti duhet “të ndihet i turpëruar” nga, siç e quajti ai, propaganda kundër LDK-së.
“Unë i kam lexuar thuaja të gjitha librat e akterëve të rëndësishëm të SHBA-ve të involvuar në çështjen e Kosovës dhe diçka të tillë nuk kam parë e lexuar askund!”, tha Gecaj, i cili kishte qenë pjesë e rëndësishme e LDK-së edhe në periudhën e fundviteve ’90.
Lidhur me letrën e LDK-së kundër Gelbardit, Haliti tha të martën në televizionin T7 se aty thuhej se “ne [LDK, v.j] nuk e pranojmë z. Gelbard në takime sepse ai po mbështet ekstremistët”.
Ekstremistët, duke aluduar në UÇK-në, shpjegoi Haliti gjatë intervistës. Ai tregoi se asokohe, më 1998, UÇK-ja ende ndërlidhej me ekstremizëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Delegacioni i Kosovës në Amerikë i cili ka propaganduar shumë kundër UÇK-së, kundër e Shqipërisë e Nanos. Ky delegacion është përbërë nga Rugova, Surroi, Fehmi Agani. Ne e kemi marrë procesverbalin e takimit, në të cilin e kanë akuzuar Fatos Nanon si ekstremist që po financon ekstremistët e Kosovës”, tha Haliti të martën.
Takimi mes delegacionit të Kosovës dhe ish-presidentit Clinton ishte zhvilluar në majin e vitit 1998.
“Por, ajo nuk ka çuar peshë, sa ka çuar peshë një letër që i është dërguar Clinton-it nga një funksion i LDK-së, në emër të Ibrahim Rugovës, që ne nuk e pranojmë z. Gelbard në takime sepse ai po i mbështet ekstremistët”, vazhdoi ai.
Sipas Halitit, LDK-ja, asokohe kishte hyrë në vallën e betejës për pushtet në ShBA.
Deklaratat e Halitit i hodhi poshtë publicisti Veton Surroi, në një reagim të martën në mbrëmje në rrjetin social Facebook.
Surroi, i cili ishte pjesë e delegacionit të kryesuar nga Rugova që takoi Clinton-in në Uashington, e quajti “krejtësisht të pavërtetë” pretendimin e Halitit. Tha se delegacioni që kishte takuar ish-presidentin amerikan Bill Clinton kishte mbrojtur kauzën e Kosovës, duke kërkuar mbrojtje amerikane.









