spot_img
spot_img
Wednesday, February 11, 2026
spot_img
spot_img

Kush është këngëtarja Pugacheva që ka më shumë ndjekës se Putini, kritikon luftën dhe turpëron Kremlinin?

Në kohët e Bashkimit Sovjetik qarkullonte një barsoletë: “Leonid Brezhnev, një figurë politike që jetoi në kohën e Alla Pugachevës”.

Ironia qëndronte në faktin se këngëtarja, e quajtur me respekt “Primadonna” nga publiku rus, kishte tejkaluar në popullaritet udhëheqësit më të fuqishëm të vendit. Dhe kjo shaka e vjetër duket më aktuale se kurrë.

Në vitin 1978, një Alla e re fitoi çmimin e parë në festivalin “Intervision”, versioni lindor i “Eurovision”-it, dhe që nga ajo ditë nisi një histori dashurie me popullin rus që nuk është shuar as sot. Emri i saj ka kaluar kohërat, sistemet, udhëheqësit: ishte më e njohur se Brezhnev, më e dashur se Gorbachev, më e dëgjuar se Jelcin, dhe ndoshta, edhe më e respektuar se vetë Vladimir Putin.

Sot, ndonëse jashtë Rusisë, e heshtur nga ekranet, e shpërfillur nga mediat zyrtare pas qëndrimit të saj kundër luftës në Ukrainë, Alla Pugacheva është ende aty, në kujtesën kolektive, në ndërgjegjen morale të një populli që shpesh nuk guxon të flasë.

Në një intervistë të rrallë e të gjatë më shumë se tre orë, e publikuar në YouTube nga gazetarja disidente Katerina Gordeeva, Alla Pugacheva rrëfehet pa filtra. E ka lënë Rusinë për të mos jetuar, siç thotë, “nën një stalinizëm të ri”, pasi e ka përjetuar edhe të parin, me ndalime, frikë dhe varfëri shpirtërore.

“Kur vdiq Stalini, në TV tregonin njerëz që qanin. Por në realitet, për shumë prej nesh, ajo ishte një festë”, kujton ajo.

Fjalët e saj janë thirrje nga zemra: “Unë kam thënë gjithmonë që do ta lija vendin tim vetëm nëse ai më tradhtonte. Dhe me këtë luftë, më tradhtoi.”

Nuk është vetëm një deklaratë personale. Është një akt rezistence. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Maksim Galkin, një nga komedianët më të njohur të Rusisë, e dënuan pa ekuivok pushtimin e Ukrainës. Dhe kjo u mjaftoi autoriteteve që t’i përjashtonin nga media, t’i çrrënjosnin nga kujtesa publike zyrtare.

Ndërsa intervista e Vladimir Putinit me Tucker Carlson u publikua në pesë gjuhë dhe u pa nga 21 milionë njerëz, rrëfimi i Pugachevës, vetëm në gjuhën ruse dhe vetëm në një kanal në YouTube, u shikua nga mbi 24 milionë vetë në dy javë. Asnjë media ruse nuk guxoi ta transmetojë, por populli rus e ka parë, e ka dëgjuar, e ka komentuar. Në heshtje, siç bëhen gjërat në diktaturë.

Në një ngjarje që duket sa ironike, aq edhe tragjike, festivali “Intervision” është ringjallur. Jo më si përballje talentesh të Lindjes, por si një konkurs ku marrin pjesë vetëm artistë nga “vendet miqësore të Rusisë”. Mes tyre, Shaman, ylli i ri i muzikës pop patriotike dhe mbështetës i zjarrtë i Kremlinit.

Ai këndon këngë si “Drejt në zemër”, pastaj heq dorë nga gara duke deklaruar se “Rusia ka fituar vetëm sepse organizoi festivalin”. Një propagandë që maskon mediokritetin me flamurin.

Pugacheva komenton me keqardhje: “Kam besuar gjithmonë në talentin e tij. Por tani më dhëmb kur e shoh në çfarë është shndërruar. Paraja e fitoi betejën ndaj së mirës. Ai mund të bëhet deputet, ndoshta edhe ministër kulture. Por suksesi i vërtetë vjen vetëm nga dashuria e atyre për të cilët këndon.”

Në intervistën e saj, Alla Pugacheva nuk e përmend drejtpërdrejt Putinin. Ajo rrëfen se dikur e mbështeti, në fillimet e tij, por nisi të dyshonte pas mënyrës se si u soll gjatë tragjedisë së nëndetëses Kursk. Por me fjalët e saj të matur, ajo rrëzon narrativën e propagandës: e quan luftën “të tmerrshme”, flet për vuajtjen e Ukrainës, por edhe për dëmin që kjo ka sjellë mbi Rusinë.

“Të thuash të vërtetën vendit tënd kur e ka gabim, kjo do të thotë të jesh patriot i vërtetë”, tha ajo.

Kremlini e ka të vështirë ta godasë. E dashur për miliona, simbol i gjallë i artit rus, ajo është e vetmja figurë që mund të sfidojë propagandën pa pasur nevojë për një parti apo një studio televizive.

Alla Pugacheva nuk është vetëm një këngëtare. Ajo është kujtesa e një epoke, zëri i një brezi dhe pasqyra e ndërgjegjes së heshtur të një shoqërie që shpesh nuk guxon të flasë. Në një Rusi ku frika sundon dhe e vërteta shtypet, zëri i saj është më i fortë se çdo lajm zyrtar.

Në një vend ku “të huajt” shpallen armiq, të gjithë e dinë se nëse edhe Alla Pugacheva do të shpallet “agjente e huaj”, atëherë Rusia ka humbur përfundimisht edhe fytyrën që i kishte mbetur.

Sepse në fund, për të thënë disa të vërteta, duhet guxim, dhe një zë që nuk dridhet nga frika.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img
- MARKETING - Epoxy Amerikanspot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit