spot_img
Friday, December 5, 2025
spot_img

“Doktori më fuste në serum kripë e sheqer”/ Frika e Enver Hoxhës më 1973 për atentat, përse “puçin” imagjinar “faturoi” kinezëve?

Në vitin 1974, Enver Hoxha siç shkruan në ditarët e tij ditorë, “kërkonte me insistim që ministri i Mbrojtjes, Beqir Ballukun, të përgjigjej në Byronë Politike për bisedat ‘sekrete’, që paskësh bërë në vizitat e tij në Kinë, me Çu En Lain e udhëheqës të tjerë kinezë”, paçka se procesverbalet e bisedave të bëra qysh nga viti 1963 e më vonë me Çu En Lain, ai i kishte të zbardhura në kasafortën e tij dhe në Arkivin e Komitetit Qendror. Në këtë vit “doli sheshit grupi puçist në Ushtri”. Se si dhe se qysh, të gjithë u çuditën, por edhe u “solidarizuan me partinë”.

Në fakt, dhe siç kanë rezultuar e zbuluar dokumentet, një puç i tillë nuk ka ekzistuar. Enver Hoxha e sajoi “puçin ushtarak” në sajë të paranojës dhe si masë mbrojtëse për ruajtjen e pushtetit të tij absolut qeverisës. Kur nga Kina kishte marrë tërë ato armatime dhe po prishej edhe me ta, frika në krahun tjetër nga ushtarakët, ai mendonte se e kërcënonte. Pikërisht për këtë, Enver Hoxha ndërmori fushatën e dënimeve dhe të spastrimeve në Ushtri me akuzën se ata madhorët e Ushtrisë “ishin ndikuar nga pikëpamjet kineze për mbrojtjen”. Në fakt, “akuza” e Enver Hoxhës e ka bazën apo e merr nismën ndaj kinezëve që nga propozimi i Çu En Lait “për krijimin e aleancës mbrojtëse JugosllaviRumani-Shqipëri”.

Kjo Enver Hoxhës i kishte djegur shumë. “Edhe këta kinezët – kishte thënë Enver Hoxha – u bënë njëlloj si sovjetikët. E duan që e duan Jugosllavinë”. Mirëpo kinezëve Enver Hoxha, ende nuk u dilte hapur. Ishin interesa të mëdha. T’u zhvaste sa më shumë armatime dhe ndihma ekonomike. Megjithatë, “ai” e ruante thellë në memorien e tij atë që kishin propozuar kinezët. Të ua hidhte poshtë ekskatedra nuk kishte se si?! E sjell në mendjen e tij vite dhe gjen “zgjidhjet” te puçistët në Ushtri dhe pastaj edhe te “sabotatorët” në ekonomi, në art, në kulturë, në naftë e në bujqësi. Vetëm kështu mund të godiste e të fitonte. Kur vuri në bankën e të akuzuarit zëvendës Kryeministrin dhe ministrin e mbrojtjes Beqir Balluku e bashkëpunëtorët e tij, në plenumin e fundvitit 1974 duke folur për “puçistët në Ushtri” i drejtohet Ramiz Alisë: “vihet pyetja: Kush duhet ta bënte në fillim puçin në Shqipëri, kinezët apo Beqir Balluku? Mendja ta do që më përpara do ta bënte te ne Beqir Balluku, sepse Shqipëria dhe Partia e Punës kanë ngelur si gjemb në thundrën e revizionistëve. Ne i zbuluam, i futëm në burg puçistët dhe u treguam vendin. Por për shpëtimin e tyre, Çu En Lai i ka bërë presion Adil Çarçanit dhe këtë ia përsëriti edhe në takimin e fundit. Me këto, Çu En Lai na thoshte e na kërkonte që të mos i prishim këta njerëz, ndryshe do të na ndërpresin ndihmat. Ja ku duken qartë fijet e puçit ushtarak”.69)

Paranoja e diktatorit

Me “analizën e tij” Enver Hoxha zbuloi qartë paranojën lidhur me të ashtuquajturin bashkëpunim midis Beqir Ballukut dhe Pekinit, që na paskëshin pasur edhe një plan për ta likuiduar udhëheqësin kryesor (Enver Hoxhën) në Shqipëri. Frikën më tej tek Enver Hoxha e rriti vizita e Presidentit amerikan, Riçard Nikson në Kinë. Enver Hoxha i trembej një fakti që do të ndodhte se mos edhe atij i kërkohej liberalizimi i sistemit. Periudha në fjalë përkoi edhe me shfaqjen e sëmundjes së rëndë tek Enver Hoxha, me ç’rast një grup mjekësh nga Pekini arriti në Tiranë për ekzaminimin dhe kurimin e kësaj sëmundjeje. Dyshimet e Enver Hoxhës ndaj këtij grupi kinez, sipas të cilit “ata kishin ardhur për të bërë atentat kundër tij”, bënë që paranoja të shkojë drejt eliminimit të gjithë udhëheqësve shqiptar, të cilët kishin ndërmjetësuar për më shumë se një dekadë për të siguruar ndihma e kredi nga Republika e Kinës.70) Do të ishte me interes për lexuesin të citoja fjalë për fjalë vetë autorin e deklaratës, pra Enver Hoxhë, se si e perceptonte ai eliminimin e tij.

“Kjo çështje u zhvillua në kohën që u sëmura, domethënë në vitin 1973, kur erdhën edhe doktorët kinezë për të më parë dhe për të më kuruar. Mjekët tanë, natyrisht, s’dinin gjë nga ngjarjet që po zhvilloheshin, por ç’është e drejta ata u treguan shumë vigjilentë për sa i përket sëmundjes time dhe kurave që më bëheshin. Kinezët na dërguan një doktor tjetër, i cili më bëri një serum kaq të kundërt, sa më fuste edhe kripë edhe sheqer në solucion. Doktorët i thanë atij se nuk ishin dakord me një veprim të tillë dhe menjëherë e ndaluan. Pikërisht në këtë kohë u ngrit Beqir Balluku dhe shkoi në Pekin bashkë me Petritin (Dumen)”.71) Pra, Enver Hoxha dyshimin kryesor e hodhi mbi ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku si dhe drejtuesit e tjerë kryesorë të Ushtrisë pasi ata, në përpjekje për të siguruar ndihma e kredi ushtarake kishin udhëtuar shpesh herë në Pekin duke harxhuar një pjesë të mirë të kohës në vizita dhe bisedime.

Nisur nga këto e nga shumë insinuata të tjera që Enver Hoxha i bënte e i mbante shënime në Ditarët e tij, në korrik të vitit 1974 shpalli se kishte zbuluar një grup të rrezikshëm armiqësor në Ushtri, një puç ushtarak që po i bëhej atij, partisë dhe vendit, të kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Shtrohet pyetja: A ka qenë projektuar vërtet ndonjë puç ushtarak? Nëse po, cila ka qenë platforma e tij? Nëse jo, përse Enver Hoxha e trilloi atë dhe përse e emërtoi puç ushtarak?! Sipas Enver Hoxhës, kush kanë qenë autorët dhe aktorët e tij?

Dosja e puçistëve

I drejtohemi dosjeve të “puçistëve”, që gjenden në Arkivin e Shtetit e në Arkivin e Forcave të Armatosura. I studiojmë ato. Janë plot e përplot me dokumente. Dosjet janë të mbushura me fraza e akuza pa fund për “puçistët”, por që po t’i shtrydhësh, nuk nxjerrin asgjë. Ato nuk kanë fakte juridike, por vetëm akuza propagandistike bajate partiake. E vërteta është se nuk ka ekzistuar një puç i tillë sepse nuk ka platformë, nuk ka deponime, nuk ka fakte, nuk ka gjurmë. Vetëm ekzekutim pa bazë i njerëzve që nga ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku e me dhjetëra të tjerë. Enver Hoxhës e klanit të tij, puçistë u etiketuan Beqir Balluku zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Mbrojtjes, Petrit Dume, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Hito Çako Drejtor Politik i Ushtrisë dhe pas tyre armata e të gjithë gjeneralëve.

Vetëm në një ditë, më 13 dhjetor të vitit 1974, 18 ushtarakë të lartë, ish-gjeneralë në kohën e gradave, Enver Hoxha me firmën e tij i përjashtoi nga Ushtria, i internoi dhe i dënoi me burgime të gjata, mes tyre 3 të pushkatuar. Ja dhe skenari i përgjakjes së vitit 1974, ku Ushtria u vu drejtpërdrejt në përmasa të mëdha përballë pushkatimit, që Enver Hoxha e pagëzoi “korriku i puçeve”, sepse andej nga vendet afrikane në atë periudhë ishin bërë disa puçe ushtarake. Le të kthehemi pak më në retrospektivë. Në fillim të vitit 1971, u zhvillua Plenumi i 12 -të i partisë. Dy ishin problemet e atij plenumi: I pari kishte të bënte me fortifikimin e vendit; i dyti me krijimin e dy forcave frenuese e bllokuese dhe të atyre operative-goditëse. Mbi bazën e këtyre vendimeve që mori plenumi, Hysni Kapo, të cilin Enver Hoxha e quante komisar të Ushtrisë, i dërgoi disa udhëzime gjithë reparteve të Ushtrisë. Sipas tij, Instituti i Studimeve Ushtarake dhe kuadrot kryesorë të Ushtrisë, duhej të bazoheshin tek ato Udhëzime për të përmirësuar dhe përshtatur disa probleme teorike e praktike të stërvitjes së Ushtrisë.

Sipas atyre, Enver Hoxhës e Hysni Kapos, me zbërthimin e detyrave të plenumit të 12-të do të pasurohej Arti i pashkruar Ushtarak i të ashtuquajturës Luftë Popullore. Për të marrë udhëzime më konkrete, Beqir Balluku në gushtin e ‘71- shit shkoi në Pogradec për të takuar Enver Hoxhën, ku ky i fundit bënte pushimet verore. Mbi bazën e vendimeve të Plenumit të 12-të si dhe për ato që mendonte Enver Hoxha, Beqir Balluku mori orientimet se si duhej ngritur një grup pune me specialistë nga më të aftët që kishte Ushtria në ato vite, për të hartuar Tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Midis të tjerave, Enver Hoxha e porositi dhe e udhëzoi Beqir Ballukun se, “kushteve që i ishin krijuar Shqipërisë, duhet t’i përgjigjeshin forma dhe mënyra më të përshtatshme të operacioneve dhe luftimeve.

Udhëzimet

Beqir Balluku me këto udhëzime “në mendje e në zemër”, i përcjellë me “përzemërsi” nga Enver Hoxha largohet nga Pogradeci dhe në Tiranë së pari u a thotë Hysni Kapos e Mehmet Shehut, se “çfarë kërkonte shoku Enver për Tezat e Këshillit të Mbrojtjes”. Ngritën dhe mblodhën grupin e punës Spiro Shalësin, Agron Çomon dhe Ilo Furrxhiun, të cilët do të punonin tezat. Këta dhe disa specialistë të tjerë ushtarakë të Institutit të Studimeve Ushtarake punojnë gjatë gjithë muajve korrik e gusht të vitit 1971 për variantin e parë të materialit mbi Ushtrinë. Për të përshpejtuar më tej punën në lidhje me këto materiale, Beqir Balluku me një urdhëresë cakton në grupin e punës edhe Vehbi Hoxhën, i cili punon gjatë muajit shtator dhe tetor të vitit 1971, ndërsa për të përpunuar materialin më tej nga ana teorikostrategjike, futi në grupin e punës gjatë muajit nëntor edhe Ernest Jakovën.

Pas punimit e ripunimit, materiali i dorëzohet Enver Hoxhës. Ka gjurmë për këto, ka shënime nga vetë dora e Enver Hoxhës, të cilat gjenden në Arkivin e Forcave të Armatosura. Me vërejtjet e bëra nga Enver Hoxha, materiali i kthehet përsëri grupit të punës, të cilët grumbullojnë literaturë dhe materiale plotësuese, që mbeti për gati një vit në “heshtje”. Përse? Këtë na e dëshmon ish-ushtaraku i lartë i këtij grupi pune, Ernest Jakova: “Në janarin e vitit 1972, data 5 apo 6 janar, jemi thirrur nga Beqir Balluku. Në atë takim ishin edhe Petrit Dume e Hito Çako. Ministri, Beqir Balluku, midis të tjerave na vë në dijeni se për materialin, veç vërejtjeve që kishte bërë për të udhëheqja e lartë, kishte disa vërejtje plus edhe Petrit Dume.”.73) Në fillim të vitit 1973 u ridhanë disa udhëzime. Këtë e shohim në një informacion që Ernest Jakova i dërgon Beqir Ballukut me nr. të sekretuar 0013, ekzemplari nr. 1, nr. i prot. 21, datë 3.02.1973. Ja çfarë i thotë Ernest Jakova zv.shef i Institutit të Studimeve Ushtarake në informacion Beqir Ballukut: “Sipas detyrës së vënë nga ju, këtë material po e ripunojmë unë dhe Spiro Shalësi në bazë të një plani më të zgjeruar, me synim për t’i dhënë materialit një trajtim dhe argumentim më të plotë, më të thelluar dhe më bindës”.74) Dhe më poshtë në informacion shkruhet: “Variantit të mëposhtëm ne mendojmë t’i japim një përpunim tërësor, duke u bazuar në kushtet dhe mundësitë tona”.75)

Informacionet

Në informacionin që përmendëm dërguar ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, sqarohen edhe kapitujt që ishin duke u punuar, duke marrë si bazë vërejtjet që kishte bërë Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu si dhe ato të Petrit Dumes. Në informacion, grupi i punës nëpërmjet Ernest Jakovës, i pohon Beqir Ballukut edhe disa vështirësi që ato po hasin gjatë dhe në fund të informacionit jepet edhe harku kohor sipas kapitujve se kur do të bëhet përfundimi i materialit teorik, që grupi i punës e mendon në fundshkurtin e vitit 1973 dhe ai dorëzohet, dokumenti mban datën 23 shkurt të vitit 1973. Me të përfunduar studimin e materialit, Beqir Balluku me një shkresë 6 faqesh i jep porosi të tjera dhe i bën vërejtje Ernest Jakovës se qëllimi i këtij materiali teorik është zbërthimi i ideve të Enver Hoxhës, argumentuar ato në mënyrë teorike dhe praktike, me qëllim që të gjenden forma dhe metoda për t’i vënë në zbatim në kushtet e vendit tonë… “Të zbërthehen idetë e shokut Enver nisur nga një analizë objektive të një lufte eventuale e që ushtria jonë do të luftojë në kushtet e një supremacie absolute në armatim dhe njerëz, si dhe të jepen rrugët e një fitoreje të ushtrisë tonë mbi armikun”.77

Mbi këto udhëzime dhe vërejtje të bëra nga Ministri i Mbrojtjes, grupi i punës e rifilloi përsëri përpunimin e variantit të tretë të materialit teorik. Në fundgushtin e vitit 1973 materiali kthehet vetëm me disa vërejtje teknike dhe përpunohet përsëri nga grupi i punës në bazë të vërejtjeve që kishte bërë Enver Hoxha. Më pas, mbas përpunimit të pjesshëm të tij, para se t’i dërgohej përsëri Enver Hoxhës, Ministri i Mbrojtjes më 8 nëntor të vitit 1973 i drejtohet Kryeministrit, ku midis të tjerave i shkruan: “Po ju dërgoj këtë material të shkurtër për disa probleme të mbrojtjes në fusha, sipas porosive të shokut Enver dhënë në Plenumin e 12 -të. Materiali është parë edhe nga shoku Enver, i cili në përgjithësi është dakord. Ju lutem, të kemi edhe vërejtjet tuaja, në bazën e të cilave do të punojnë grupet e punës për ta zhvilluar më tej nga ana teorike dhe praktike”.79) Një parantezë: Qëndrimi që mban Kryeministri në aktivin e Partisë të ushtarakëve zhvilluar në Durrës dhe në Byronë Politike, bëhet në mënyrën më të pasinqertë sepse ky i mohon njohjet me materialet që ai dhe Enver Hoxha i quajnë teza të zeza dhe se “janë hartuar nga Beqir Balluku dhe kalemxhinjtë e tij për t’iu kundërvënë tezave të Këshillit të Mbrojtjes dhe Artit Ushtarak të Luftës Popullore, si dhe mësimeve të ndritura të shokut Enver Hoxha”.

Dhe jo vetëm kaq, por Mehmet Shehu, ndoshta më shumë se kushdo tjetër vihej në dijeni paraprakisht nga Beqir Balluku për kohën e nisjes së materialit Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. Me mënyrën e të “paditurit” Mehmet Shehu sulmon Beqir Ballukun sikur ai e ka përgatitur këtë material për të “përmbysur pushtetin popullor”. Dhe më e pakonceptueshmja është se Enver Hoxha, në diskutimet dhe akuzat që i drejton Beqir Ballukut, për gjithçka që lidhej me Tezat e Këshillit të Mbrojtjes luan rolin e të “paditurit”. Me dorën e tij në material është shënuar: “Të thellohet në këto drejtime… Enver (firma)”. Kur grupi i punës e quajti të plotë variantin e përpunuar disa herë të materialit teorik, ai iu çua për pëlqim e miratim përsëri Ministrit Beqir Ballukut, e më pas materiali i plotë i niset për miratim Enver Hoxhës, plus edhe Hysni Kapos e Mehmet Shehut.

Materiali prej 1500 faqesh i “studiuar” nga treshja Hoxha-KapoShehu, në Ministrinë e Mbrojtjes sipas datave që mban përsipër arriti me vonesë, ndërkohë që vërejtjet siç ishin shkruar mbi të i ishin bërë me gojë në një takim të Beqir Ballukut me “treshen”. Kur erdhi në ministri materiali teorik me vërejtjet përkatëse, ministri menjëherë urdhëron sekretarin e tij Ndreko Çabeli, që materiali t’i drejtohet e t’u niset i plotë gjithë shërbimeve dhe armëve, të gjithë shefave kryesorë të Ushtrisë. Për këtë fakt, në vitin 1974 ku u eliminua Beqir Ballukut si ministër Mbrojtjeje, Komandat e larta në Ushtri u akuzuan për mbajtjen sekret të këtij komunikimi shkresor dhe materiali u etiketuan si “materiale të zeza”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit