Vladimir Putin dhe Donald Trump janë “përplasur” në distancë mbi luftën në Ukrainë dhe të ardhmen e rendit global.
Presidenti rus Vladimir Putin, në një takim me krerët e grupeve parlamentare në Dumën e Shtetit, deklaroi se udhëheqja e ardhshme e Rusisë do të dalë nga veteranët e luftës. Sipas tij, vetëm ata që nuk kanë frikë të sakrifikojnë jetën për atdheun mund të marrin drejtimin e vendit. Putin theksoi se qindra ish-ushtarë tashmë janë zgjedhur në poste vendore dhe se “këta njerëz do të jenë ata që do të na zëvendësojnë”. Në këtë mënyrë ai e paraqiti luftën si një lloj shkolle lidershipi dhe sakrifice për brezat e rinj.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në një konferencë shtypi me kryeministrin britanik Keir Starmer, përdori një gjuhë të ashpër kundër Moskës dhe shprehu zhgënjimin e tij personal ndaj Putin-it. “Rusia po vret shumë njerëz dhe po humbet edhe më shumë. Forcat ruse po pësojnë humbje më të mëdha se ukrainasit”, deklaroi Trump, duke shtuar se është i detyruar moralisht të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit. Ai kujtoi se po të ishte ende në pushtet, lufta nuk do të kishte nisur kurrë, dhe paralajmëroi se përmasat e saj kanë qenë aq të mëdha sa mund të kishin çuar në një Luftë të Tretë Botërore, gjë që do të ishte një “turp për njerëzimin”.
Trump lidhi gjithashtu zgjidhjen e konfliktit me ekonominë globale, duke theksuar se një rënie e çmimeve të naftës do ta detyronte Putinin të tërhiqej. “Nëse çmimet e naftës bien, ai nuk do të ketë zgjedhje tjetër veçse të ndalë luftën”, tha ai.
Në këtë kontrast të qartë, Putin glorifikon sakrificën e jetës për Atdheun si burim legjitimiteti politik, ndërsa Trump llogarit koston e gjakut dhe të ekonomisë botërore. Përplasja e tyre reflekton dy vizione të ndryshme mbi të ardhmen e luftës dhe rendin ndërkombëtar: një Rusi që e ndërton pushtetin mbi mitin e veteranëve dhe një Amerikë që synon ta zgjidhë krizën përmes presionit diplomatik dhe goditjes ekonomike.










