Serbia po përjeton ditët më të trazuara politike që nga rrëzimi i Slobodan Millosheviçit në vitin 2000. Ajo që filloi si një protestë studentore përballë një tragjedie të neglizhuar nga shteti, është shndërruar në një revoltë popullore kundër një regjimi që është kthyer në simbolin e autoritarizmit ballkanik të stilit të ri.
Që prej 1 nëntorit 2024, kur shembja e një konstruksioni në stacionin hekurudhor të Novi Sad-it la të vdekur të paktën 16 persona, në një projekt të financuar nga Kina, vendi është trazuar nga akuza për korrupsion, kapje të shtetit dhe paaftësi institucionale. Studentët dolën të parët në rrugë, duke bllokuar për 15 minuta trafikun çdo të premte në kujtim të viktimave. Por zemërimi kaloi shpejt përtej universiteteve.
Sot, protesta ka marrë përmasa kombëtare. Qytetarë të zakonshëm, të shtyrë nga papërballueshmëria e jetesës, abuzimi i pushtetit dhe dhuna policore, janë bashkuar me të rinjtë. Një revoltë që nuk ndalet më vetëm në Beograd, por është përhapur në dhjetëra qytete të tjera. Përballë kësaj vale të paprecedentë, Vuçiq ka zgjedhur rrugën klasike të autokratit: të frikësojë, të poshtërojë dhe të godasë.
Për të dhënë një sinjal force, qeveria nxori tanke në rrugët e Beogradit, kinse për një paradë ushtarake më 20 shtator. Por në sfondin e protestave, kjo manovër shihet nga qytetarët si një kërcënim i qartë: nëse protesta eskalon, ushtria nuk do të largohet më nga rrugët.
Një strategji e vjetër me teknologji të re. Parapolicia e përbërë nga huliganë të klubeve futbollistike, të njohur si truproja të paligjshme të Vuçiçit, është përdorur për të frikësuar protestuesit. Krah tyre, policia speciale ka përdorur gaz lotsjellës, granata tronditëse, pajisje sonike dhe dhunë fizike. Disa protestues janë plagosur rëndë, të tjerë janë arrestuar pa asnjë bazë ligjore.
Por çdo valë dhune nga ana e pushtetit ka prodhuar efektin e kundërt: më shumë qytetarë dalin në rrugë. Studentët kanë bllokuar rrugë kombëtare, hyrjet e universiteteve dhe ndërtesat e institucioneve publike. Edhe pas përjashtimit masiv të më shumë se 100 mësimdhënësve, dekanëve dhe profesorëve që u solidarizuan me protestat, lëvizja studentore nuk është tërhequr.
Ndërsa Serbia përpëlitet mes represionit dhe rezistencës, Vuçiq përpiqet të paraqitet si stabilizues i rajonit në sytë e jashtëm. Në skenën ndërkombëtare, ai shfaqet herë si aleat i BE-së, herë si mik i Rusisë, Kinës dhe Iranit. Marrëdhëniet e tij me Perëndimin janë në balancë të hollë: ai nuk vendos sanksione ndaj Moskës, por gjithashtu lejon eksportet e armëve në Ukrainë dhe zhvillon vizita të shpeshta në Bruksel e Kiev. Ky “balancim i pamundur” e bën të tolerueshëm për shumë diplomatë europianë që nuk duan trazira në një rajon me histori të përgjakshme.
Por kjo tolerancë ka kosto. Nëse BE-ja vazhdon të mbyllë sytë përballë një regjimi që mbyll mediat e pavarura, që e cilëson çdo kritik si “terrorist” dhe që përdor armët e shtetit për të shtypur protestën, atëherë ajo rrezikon jo vetëm të humbasë Serbinë si kandidat për anëtarësim, por të legalizojë një model autoritar në zemër të Ballkanit.
Analistët janë të qartë: ajo që ndodh sot në Serbi është më shumë se një krizë politike – është një betejë ekzistenciale midis një brezi që kërkon demokraci të vërtetë dhe një regjimi që nuk heq dorë nga trashëgimia e Millosheviçit. Dhe nëse kjo përplasje nuk zgjidhet në mënyrë paqësore, Serbia rrezikon të futet në spiralen e dhunës dhe paqëndrueshmërisë afatgjatë. /Përshtatur nga “Associated Press”










