Mediat italiane kanë publikuar pamjet e aksidentit tragjik që ndodhi në qytetin Bologna të Italisë, ku dy të rinj shqiptarë tentuan t’i shpëtonin ndjekjes nga policia me një automjet të vjedhur.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën 18-vjeçari Valjero Maksuti, ndërsa miku i tij 19-vjeçar mbeti i plagosur dhe është vënë në pranga nga autoritetet.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, ndërsa mediat italiane raportojnë se automjeti tip Audi, me të cilin po udhëtonin të rinjtë, ishte i vjedhur në natën mes 8 dhe 9 shtatorit në Bolonja.
Pamjet e publikuara nga një kamera sigurie tregojnë momentin kur makina, duke lëvizur me shpejtësi të madhe, humbet kontrollin në një kryqëzim dhe përplaset fuqishëm me një shtyllë ndriçimi.
Përplasja ishte aq e fortë, sa automjeti u nda në dy pjesë. Ndërkohë, i mbijetuari 19-vjeçar është arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje me automjet, posedim të mallrave të vjedhura dhe rezistencë ndaj arrestimit.









