Ish-ambasadori i Shqipërisë në NATO, Visho Ajazi Lika, komentoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për të pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën.
Ai e cilësoi këtë si një lajm të keq për politikën e Kosovës por jo të papritur, duke theksuar nevojën për reflektim të menjëhershëm nga autoritetet për të riparuar marrëdhëniet me aleatin kryesor, SHBA-në.
“Lajm i keq por jo i papritur,. Besoj që është imediate që për klasën politike të Kosovës të marrin masa që ky pezullim të pezullohet sa më shpejt.
Lexova deklaratën e Presidencës së Kosovës dhe shpresoja se do punohej për t’u përmirësuar, por pa asnjë propozim konkret. Më shqetëson ky fakt pasi SHBA-të janë mbështetësit kryesorë në mbrojtje të Kosovës. Gjatë mandatit tim kam vënë re që Kosova ka qenë shumë e mbështetur nga SHBA-të, veçanërisht në formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Politika duhet të reflektojë. Duhet të jemi të përgatitur që vullnetin e mirë amerikan, por Trump-in kryesisht, ta kemi shumë në konsideratë”, tha Visho Ajazi Lika për eurnewsalbania.
Ndërkaq, ky vendim, sipas ambasadës amerikane në Prishtinë erdhi “për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”.









