Faruk Mujka, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeshef Ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria Speciale, ka thënë se nuk po ndjehet aspak i shqetësuar, pasi që konsideron se po ngriten aktakuza “anë e mbanë”, e të cilat ai pretendon se janë të pabaza.
“Po ndjehem njëjtë se s’ka sen prej asaj pune. Po edhe ju, edhe shokët e juaj, këtë politikisht po këqyrni me shfrytëzu, po tybe s’ka sen prej asaj pune”, ka deklaruar Mujka.
Ai thotë se në qoftë se funksionon drejtësia “unë aspak s’jam i shqetësuar hiç”. “Për besë ju jeni këtu po më duket po jetoni, po e shihni që po ngriten aktakuza anë e mbanë edhe mandej po bien poshtë sepse janë njëpërdorimshme, një përdorim”, shtoi.
“Sot u bë e lehtë me ngrit aktakuzë, pse mos po jep përgjegjësi najkush që po ngrit aktakuza të pabaza a? Prej kafeve të çajave po ngritin aktakuza. Por, po ia lajmë gjyqësisë këtë punë”, theksoi ai.
I pyetur nëse ka ndërmend të japë dorëheqje nga pozita e kryeshefit në “Ibër-Lepenc”, pas ngritjes së aktakuzës, Mujka e ka mohuar një gjë të tillë.
“Jo, jo, jo. Pse me dhënë dorëheqje? A kjo po iu dhemb a çka?”, deklaroi ai, duke insistuar se “s’ka sen prej kësaj pune, pos një kësi maskarade politike”.
Fillimisht, se Mujkës i është ngritur aktakuzë, rmëngjesin e së mërkurës. Kjo më pas u konfirmua edhe nga Prokuroria Speciale.
Sipas Prokurorisë, Mujka akuzohet për veprat penale të “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare” dhe “Mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë materiale ose detyrimeve financiare”. Akuzat lidhen me kohën kur ai ka shërbyer si nënkryetar i komunës së Mitrovicës.
Organi i akuzës bëri të ditur se Mujka së bashku me Hysen Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, dyshohen se i kanë shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dëm mbi 125 mijë euro.
“Në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, Mujka dhe Muzliukaj, duke shfrytëzuar detyrat zyrtare, tejkaluan kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike”, thuhet në njoftim.
Dy vjet më parë, për të njëjtën çështje, Mujka ishte arrestuar, bashkë me ish-drejtorin për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Hysen Muzliukaj.
Gjatë bastisjeve të Policisë në pronën e Mujkës ishin gjetur 60 mijë euro.
Si avokat mbrojtës i tij ishte angazhuar ish-deputeti Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Faruk Mujka më pas ishte zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”. Ndërsa, Hysen Muzliukaj ishte zgjedhur këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.









