Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar sërish, ndoshta përfundimisht, mundësinë e një koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës në nivelin qendror.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu tha të mërkurën se negociatat për koalicionin qeverisës mund të vazhdojnë me Nismën ose me ndonjë deputet të opozitës që është i interesuar të bashkëpunojë me LVV-në.
Ajo, në një konferencë për media tha se LVV-ja nuk do të hyjë “assesi” në negociata me PDK-në.
“Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka votuar për mandatarin kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Ne kemi pasur në plan menjëherë të vazhdojmë me procedurat për formimin e qeverisë. Prandaj, për ne është absurde që Gjykata Kushtetuese ka bllokuar punën e 120 deputetëve të Kosovës, por njëherë duhet ta presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
“Ne e kemi bërë të hapur se kënd e kemi parë si partner: me PDK-në assesi, me LDK nuk kanë pranuar negociata, negociatat apo takimet mund të vazhdojnë me Nismën apo me ndonjë deputet tjetër që është i interesuar që të jetë pjesë e qeverisë së re”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se Vetëvendosje mban qëndrim që të ecet përpara me qeveri të re ose me zgjedhje të reja.
“Ne kemi thënë që duhet të vazhdojmë përpara o me qeveri të re, o me zgjedhje”, tha ajo. “Gjykata Kushtetuese nuk mund të shpall zgjedhje. Presidentja i shpall zgjedhjet. Për ne janë në rregull kur ato mbahen. Kurdo që ato të mbahen ne jemi të gatshëm që të hyjmë”.









