Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për 26-vjeçarin Leonardo Preza që akuzohet se përdhunoi turisten 18-vjeçare italiane në plazhin e Durrësit pak ditë më parë.
Mësohet se gjatë seancës së zhvilluar sot, i akuzuari ka deklaruar se nuk mban mend asgjë pasi ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, teksa 18-vjeçarja po qëndronte vetëm në shezlong, përballë një hoteli në lagjen nr.13.
“Gjatë natës kemi qenë me shoqërinë dhe kemi konsumuar pije alkoolike. Për një çast unë jam larguar prej grupit dhe jam ulur në një shezlong, që gjendej disa metra larg hotelit. Kjo ka ndodhur rreth orës 05:30 të mëngjesit të datës 5 shtator. Gjatë kësaj kohe më është afruar një person i cili më ka sulmuar fizikisht dhe me gjithë tentativat e mia për t’u mbrojtur, më ka përdhunuar dhe me pas është larguar”, mësohet të ketë thënë vajza në dëshminë në polici.
Ndërsa në media janë zbuluar edhe pamjet e momentit, kur turistja italiane e cila u përdhunua në zonën e plazhit në Durrës, bisedon me 26-vjeçarin Leonardo Preza.
18-vjeçarja shihet në video teksa është duke biseduar me Prezën, i cili është edhe punonjës shezlongësh, teksa janë të ulur fillimisht në një stol në shëtitoren e plazhit. Më pas ata largohen nga aty ku ishin të dy, duke shkuar drejt bregut të detit.
Leonardo Preza, ka pasur të shkuar kriminale, pasi ka qenë dënuar më parë për armë pa leje dhe vjedhje.









