Ministri i jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se “ka shumë arsye” pse Beogradi është i pakënaqur me qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj serbëve të Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale që po afrohen.
“Garancia më e madhe e sigurisë për serbët e Kosovës është politika jonë e përgjegjshme, ushtria jonë dhe miqtë tanë në botë. Bashkësia ndërkombëtare ka mbyllur sytë ndaj aparteidit të Albin Kurtit që po zbatohet në Kosovë. Serbët po bëhen qytetarë të dorës së dytë në Kosovë. Është e rëndësishme që të paraqitemi të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme”, ka pretenduar Gjuriq.
Gjuriqit gjithashtu i pengon edhe marrëveshja ushtarake mes Kroacisë dhe Sllovenisë.
Ai ka deklaruar se marrëveshja ushtarake mes Kroacisë dhe Sllovenisë dërgon një mesazh se në rajon “po ndërtohen mure në vend të urave” dhe ka pretenduar se “ky proces nuk ka qenë gjithëpërfshirës dhe transparent”.
Ai ka shtuar se Beogradi është i shqetësuar, sepse “veprime të tilla nuk kontribuojnë në stabilitet, por rrisin tensionet”, duke përkujtuar edhe memorandumin për bashkëpunim ushtarak që Kroacia ka nënshkruar me Shqipërinë dhe Kosovën, duke e quajtur atë “një provokim të padiskutueshëm”.
“Krijimi i aleancave shtesë pa konsultime me fqinjët ngjall shqetësim. Gjithçka duhet të jetë transparente, ky është një zakon i mirë në një rajon që ka kaluar shumë sfida gjatë tri dekadave të fundit”, ka thënë Gjuriq.









