Po dalin në dritë prova të forta që sugjerojnë se ushtria ruse ka nisur për herë të parë përdorimin e grave në repartet e sulmit në Ukrainë, pas rekrutimit të tyre nga kolonitë penale.
Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me një krizë të thelluar rekrutimi: sipas të dhënave më të fundit nga buxheti i Kremlinit, në tremujorin e dytë të këtij viti numri i “vullnetarëve” që kanë pranuar të firmosin kontratë me ushtrinë ka rënë me 59% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, një tkurrje prej mbi 50 mijë personash.
Rusët duket se nuk mashtrohen më nga paratë e ofruara për të derdhur gjak në emër të ambicieve gjeopolitike të Putinit.
Ndërkohë, në Donbas kanë nisur të dëgjohen zëra të hapur kritikë brenda vetë radhëve të luftëtarëve rusë me peshë, të cilët po denoncojnë mënyrën sesi Kremlini po menaxhon luftën. Disa prej tyre po kërkojnë një mobilizim total prej 1.5 milionë trupash për të dalë nga bllokada. Brenda vetë Rusisë, situata po tensionohet: dëshmitë dhe videot e radhëve kilometrike nëpër stacionet e karburantit janë shtuar ndjeshëm, pasi dronët ukrainas kanë goditur gjatë korrikut dhe gushtit disa rafineri kyçe që furnizonin 17% të karburantit të brendshëm rus.
Por a do të thotë kjo se Rusia po humb luftën? Jo domosdoshmërisht. Vladimir Putin mund ende të arrijë disa nga objektivat e tij ushtarakë dhe politikë.
Megjithatë, kjo situatë tregon se edhe Ukraina nuk është në disfatë, siç përpiqen ta paraqesin disa zëra. Përkundrazi, Kievi ende ka mundësi të poshtërojë armikun dhe të dalë nga kjo luftë si një shtet i lirë dhe i pavarur në mbi 80% të territorit të vet. Ka ende “letrat në dorë”, siç do të thoshte Donald Trump.
Luftërat janë gjithmonë terren për propagandë, kjo nuk është për t’u habitur. Por nëse fikim zhurmën propagandistike, shfaqet një e vërtetë e qartë: kjo nuk është Lufta e Parë Botërore, me dy fronte që zvarriten nëpër llogore; nuk është as Lufta e Dytë Botërore me tanke që thyejnë linjat dhe avancojnë kilometra të tërë. Dhe nuk është më as lufta e Ukrainës e vitit 2022.
Dronët dhe inteligjenca artificiale e kanë transformuar konfliktin në një mënyrë që askush nuk e kishte parashikuar, as vetë liderët e përfshirë.
Sot kemi një luftë që nuk fitohet më me strategji të stilit sovjetik, siç mendon Putini, por me fuqinë e bashkuar të bazës industriale dhe teknologjike. Kjo është një përplasje midis sistemeve prodhuese dhe kapaciteteve për inovacion në luftën ajrore të së ardhmes. Një pilot në Kiev mund të kontrollojë një dron që godet objektiva qindra kilometra larg. Qindra dronë luftojnë çdo ditë në vijën e parë të frontit, shpesh të komanduar nga algoritme të inteligjencës artificiale, në vend të trupave njerëzorë.
Kjo realitet i ri duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën sesi Europa, dhe veçanërisht Italia, ndihmojnë Ukrainën. Çdo gjë tjetër sot është dytësore dhe vetëm na largon nga ajo që është me të vërtetë urgjente.










