Deputeti dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me ngërçin e fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si politikë të tipit “një hap para e dy prapa”.
Haziri tha se zgjedhja e Kryetarit dhe e Nënkryetarëve të shumicës politike dhe etnike u pa si një hap i rëndësishëm drejt funksionalizimit të Kuvendit, por ndarja e procesit për përfaqësuesit e pakicave shënoi dy hapa prapa.
“Asgjë e re. Më rëndësi që agjenda e fshehur po ecën”, ka shkruar ai.
Sipas tij, klasa politike në Kosovë ende nuk po arrin ta kuptojë frymën e Kushtetutës, ku bashkëpunimi është obligim dhe jo vullnet. Haziri theksoi se pragmatizmi politik dhe kompromisi janë vlera, jo dobësi, ndërsa përmendi edhe çështjen e të drejtave të komuniteteve pakicë.
“Jam bindur tash se pse miqtë ndërkombëtarë na kërkonin që këto të drejta t’i garantonim vetëm me mekanizma kushtetues”, u shpreh Haziri, duke përfunduar se “Republika është mbi të gjitha”.









