Kryeministrja e Tajlandës, Paetongtarn Shinawatra, është shkarkuar nga detyra pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e akuzoi për shkelje të normave kushtetuese mbi etikën. Vendimi hyn në fuqi menjëherë, duke i dhënë fund mandatit të saj që zgjati rreth një vit.
Shkaku kryesor ishte një telefonatë e 15 qershorit mes saj dhe ish-kryeministrit të Kamboxhias, Hun Sen, aktualisht president i Senatit. Biseda kishte për qëllim uljen e tensioneve në kufi, pas përplasjes ushtarake që shkaktoi mbi 260 mijë të zhvendosur dhe dhjetëra viktima. Por, sipas gjykatës, kryeministrja u tregua tepër e afërt në një çështje të sigurisë kombëtare dhe madje akuzoi një gjeneral tajlandez.
Audioja e telefonatës u publikua online nga vetë Hun Sen, i cili për gati 40 vjet dominoi politikën kamboxhiane, përpara se ta linte pushtetin në duart e të birit, Hun Manet, në vitin 2023.
Vendimi i Gjykatës pritet të tronditë koalicionin qeverisës, i udhëhequr nga partia Pheu Thai, e mbështetur historikisht nga familja Shinawatra. Pas publikimit të telefonatës, një nga partnerët kryesorë të koalicionit, partia Bhumjaithai, tërhoqi mbështetjen, duke lënë shumicën parlamentare të brishtë.
Ky është gjithashtu një goditje e rëndë për figurën e Thaksin Shinawatra, babai i Paetongtarn-it, ish-kryeministër dhe biznesmen miliarder. I përmbysur nga një grusht shteti ushtarak në vitin 2006, ai mbetet një nga figurat më të fuqishme në politikën tajlandeze falë populizmit dhe pasurisë së tij. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese është treguar historikisht e ashpër ndaj tij dhe partive të afërta me të, duke rrëzuar tashmë pesë kryeministra të mbështetur nga kjo dinasti politike. Paetongtarn është viktima më e fundit në këtë seri.
E ardhmja politike e Tajlandës mbetet e paqartë. Vendimi i gjykatës rrit pasigurinë mbi stabilitetin e qeverisë, përplasjet me opozitën dhe mbi menaxhimin e krizës së vazhdueshme kufitare me Kamboxhian.










