Vendimi i Bashkimit Evropian për të pezulluar zhvillimin e takimeve zyrtare brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës deri në formimin e një qeverie me mandat të plotë ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.
E për këtë zhvillim, ka reaguar edhe publicistja Kimete Berisha.
Ajo në një postim në Facebook, vuri në pah kontradiktat dhe absurditetet që, sipas saj, karakterizojnë qasjen e BE-së ndaj Kosovës.
Duke përdorur ironi dhe metafora të fuqishme, ajo sfidon përçmimin institucional dhe vë në diskutim seriozitetin e partnerëve ndërkombëtarë në raport me shtetin e Kosovës.
Shkrimi i plotë
Kosova, restoranti i BE-së!
- BE ka shpallur të ndaluara zyrat e qeverisë së Albin Kurtit.
- Jo kryeministrin, por ndërtesën.
Me të, takimet janë të lejuara.
Me ndërtesën, jo.
- Prandaj, për BE-në Kosova nuk është shtet, por restorant.
- Në restorant, Albin Kurti është kryeministër i ligjshëm; në zyrë, bëhet ilegal.
- BE e ka ndaluar hyrjen në ndërtesën e qeverisë së Albin Kurtit.
- Nëse nuk e dini pse, s’ka problem, se as BE nuk e di pse.
- Ndalesa vlen deri në një Vendim tjetër, kur…BE pret që deri atëherë Albin Kurti do të ‘zhduket’…nga skena politike….!
- Për BE-në më e rëndësishme është ndërtesa e qeverisë se sa njerëzit, se njerëzit shkojnë e vijnë, e ndërtesat mbesin.
- Më e rrezikshme është ndërtesa e qeverisë se sa Albin Kurti.
- Prandaj, BE, me Albin Kurtin pranon të takohet, ama me ndërtesën e qeverisë nuk pranon të takohet.
- Arsyeja: Misterioze.
- BE është e sigurt se ndërtesa e qeverisë e bën kryeministër Albin Kurtin, ndërsa restoranti e zhbën.
- Autori i këtij manuali turistik të BE-së për Kosovën preferon të mbetet anonim, por merret vesh se frymëzohet nga dashnori i tij serb.
- Kur BE ka vendosur t’i shpall të ndaluara zyret e qeverisë së Albin Kurtit, e ka gjetur një zëvendësim për to: restorantet.
- Pra, Kosova nuk është shtet, por restorant i BE – së.
- BE i ka legalizuar restorantet si zëvendësim për ndërtesën e qeverisë.
- Për BE-në, takimet zyrtare me Albin Kurtin dhe me ministrat e tij do të zhvillohen vetëm në restorante, por lejohet edhe nëpër kafene.
- Sundimi i ligjit sipas BE-së:
Siç është vendi bëhet Kuvendi, thonë shqiptarët, por BE-ja thotë se vendndodhja e përcakton legjitimitetin…
por ende nuk është e qartë se a janë ilegale edhe nevojtoret e qeverisë.
- Pra, ndërtesa e qeverisë tani është ilegale, por Albin Kurti është legal.
- Prandaj, Kryeministri është i ligjshëm vetëm në restorant, por jo në zyrën e tij.
- Rezervimi i obligueshëm.
- Për BE-në Kosova nuk është shtet, sepse nuk është shtet, por i ka restorantet legjitime që i plotësojnë kushtet për takime zyrtare.
- Në restorant është legjitime edhe muzika instrumentale, por si himni i Kosovës, pa tekst.
- Kodi i veshjes:
I lirë, si Kosova, por veshjen duhet ta përshtatni me motin.
- BE i njoftoi ministrat dhe ambasadorët e
saj:
- Mos e kërkoni Albin Kurtin në zyrë, por në restorante.
- Sepse, Kryeministri Albin Kurti për BE-në tani është aplikacion mobil që hapet vetëm në restorant, në kafene, por sipas rastit edhe në dasma.
- Ligjshmëria e restorantit:
- Çdo restorant që ka menu ditore është legjitim.
- Ushqimi e zëvendëson protokollin.
- Kafja e zëvendëson sundimin e ligjit.
- Rakia i zëvendëson marrëveshjet ndërkombëtare.
- Vërejtje!
Rezervim me mandat të plotë:
- Për ta takuar Kryeministrin në
detyrë apo ndonjë ministër të
tij, duhet ta rezervoni tavolinën dy ditë përpara takimit.
- Nëse nuk ka vende të lira në restorant, qeveria shpërndahet përkohësisht.
- Preferohet që takimet të mbahen në darkë, sepse kur bie terri, oh,
zgjohen emocionet…se, njeriu është më emocional natën.
- Agjenda e takimit:
- Sot: Takim te Restorant ‘Në bisht të BE-së”.
- Nesër: Konferencë për media nga kafeneja ‘E harrova veten tuj mendu për ty’.
- Pasnesër: Marrëveshja historike nënshkruhet mbi tavolinën e bilardos.
- BE, del nga restoranti e dehur…dhe harron të marrë faturën me vete.
P.S. S’kam më shumë kohë se do të vazhdoja pjesën e dytë të editorialit
për ‘Mbretërinë Private të Ambasadorëve’, me titull:
- ‘Ambasadat si Klube të natës politike’.
- Ndoshta, nesër!









