spot_img
spot_img
Friday, February 13, 2026
spot_img
spot_img

Azia fronti i ri? Ashpërsohet gara raketore mes Indisë dhe Pakistanit, e rrezikuar edhe Kina

Më 20 gusht, India njoftoi se kishte testuar me sukses raketën balistike me rreze të mesme veprimi Agni-V nga poligoni i provave në Odisha, në bregun lindor të Gjirit të Bengalit. Testi u konsiderua një hap i rëndësishëm në arsenalin strategjik të Nju Delhit dhe një mesazh i qartë për rivalët rajonalë.

Agni-V, që në sanskritisht do të thotë “zjarr”, është një raketë 17.5 metra e gjatë, me peshë 50 ton, e aftë të mbajë mbi 1,000 kilogramë ngarkesë bërthamore ose konvencionale. Ajo mund të udhëtojë mbi 5,000 kilometra me shpejtësi hipersonike që arrin deri në 30,000 kilometra në orë, duke e bërë një nga raketat balistike më të shpejta në botë. Kjo ishte prova e dhjetë e Agni-V që nga viti 2012 dhe e para pas marsit të vitit të kaluar, por ajo që i dha peshë politike ishte koha e realizimit të saj.

Testi ndodhi vetëm një javë pasi Pakistani shpalli krijimin e një Komande të Forcës së Re Raketore (ARFC), të cilën ekspertët e shohin si përpjekje për të mbuluar boshllëqet e ekspozuara në konfliktin katërditor të muajit maj me Indinë. Megjithatë, sipas analistëve, mesazhi i Agni-V shkon më shumë në drejtim të Kinës se sa të Pakistanit. Rrezja e saj mbulon pothuajse gjithë Azinë, duke përfshirë rajonet veriore të Kinës, madje edhe pjesë të Europës.

Ky zhvillim ndodhi vetëm pak ditë para vizitës së kryeministrit Narendra Modi në Kinë për samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO). Pas viteve të tensioneve për kufirin e përbashkët në Himalaje, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë nisur të zbuten, veçanërisht pas krizës tregtare të ndezur nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili së fundi dyfishoi tarifat ndaj mallrave indiane në 50 për qind për shkak të importimeve të naftës ruse. Sidoqoftë, India vazhdon ta shohë Kinën si kërcënimin kryesor strategjik dhe është pikërisht kjo që shpjegon zhvillimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Azia fronti i ri? Ashpërsohet gara raketore mes Indisë dhe Pakistanit,

Ekspertët nënvizojnë se ndërsa Pakistani është objektiv dytësor, misioni kryesor i Agni-V është Kina. Profesorja Manpreet Sethi nga Qendra për Studime të Fuqisë Ajrore në Nju Delhi thotë se “India ka nevojë për një raketë me rreze të gjatë, por jo ndërsatlantike, për shkak të perceptimit të saj të kërcënimit nga Kina”. Edhe Christopher Clary, profesor në Universitetin e Albany, shprehet se Agni-V është dizajnuar kryesisht për të pasur në shënjestër qytetet dhe qendrat industriale të Kinës, sidomos bregdetin lindor ku ndodhen qytetet më të rëndësishme politike e ekonomike të saj.

Në krahasim me Pakistanin, India ka një përparësi të madhe teknologjike. Në përplasjet e muajit maj, edhe pse humbi disa avionë, India shkaktoi dëme të ndjeshme mbi bazat pakistaneze duke përdorur raketën supersonike BrahMos, me rreze prej 500 kilometrash dhe aftësi të shmangë interceptimin. Kjo ka nxjerrë në pah se programi indian ka objektiva shumë më përtej subkontinentit.

India tashmë po punon mbi Agni-VI, që pritet të ketë rreze mbi 10,000 kilometra dhe aftësi për të mbajtur koka të shumta bërthamore të pavarura (MIRV). Kjo teknologji rrit fuqinë shkatërruese të një rakete, duke i mundësuar të godasë disa objektiva njëkohësisht. Analisti Mansoor Ahmed nga Universiteti Kombëtar Australian vlerëson se ky test i fundit shërbeu si provë teknologjike për zhvillimin e kapaciteteve të reja të Indisë për raketat balistike të lëshuara nga nëndetëset bërthamore (SLBM). Brenda dekadës së ardhshme, India mund të vendosë deri në 300 koka bërthamore vetëm në flotën e saj të nëndetëseve SSBN, dy prej të cilave janë tashmë operative dhe dy të tjera në ndërtim.

Pakistani nga ana tjetër nuk ka as raketa me rreze të gjatë e as nëndetëse bërthamore. Rrezja më e madhe e tij është Shaheen-III me 2,750 kilometra. Ai ka zhvilluar raketën Ababeel me aftësi MIRV, por kjo ka vetëm 2,200 kilometra rreze, duke e bërë sistemin më të shkurtër të këtij lloji të operuar nga një shtet bërthamor.

Azia fronti i ri? Ashpërsohet gara raketore mes Indisë dhe Pakistanit,

Sipas analistëve pakistanezë si Tughral Yamin, programi i tyre mbetet i kufizuar dhe defensiv ndaj Indisë, ndërsa India ka ambicie globale, duke u përpjekur të pozicionohet si një superfuqi me kapacitet të besueshëm parandalues ndaj Kinës dhe fuqive të tjera të mëdha.

Kjo garë e re raketore nuk kalon pa u vëzhguar nga SHBA. Vitin e kaluar, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi për ambiciet e Pakistanit që mund ta çonin në një moment të synonte edhe objektiva përtej Azisë Jugore, madje deri në Shtetet e Bashkuara. Por ndërkohë, arsenali indian shihet me sy tjetër. Analistët si Ashley J Tellis nga Carnegie Endoëment theksojnë se programi indian shihet si pjesë e strategjisë amerikane për një Indo-Paqësor të sigurt. Marrëveshja bërthamore civile SHBA–Indi e vitit 2008 dhe përjashtimi i Indisë nga kufizimet e Grupit të Furnizuesve Bërthamorë i dhanë Nju Delhit një status de facto fuqie bërthamore, edhe pse nuk është nënshkrues i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Sipas analistëve, kjo tregon se ndërsa ambiciet pakistaneze ngjallin pasiguri, ato të Indisë perceptohen nga Perëndimi si të pranueshme dhe madje të dobishme për ekuilibrin strategjik në Azi kundër Kinës. Megjithatë, kjo garë e armatimeve nuk e bën rajonin më të sigurt. Përkundrazi, ajo rrit rrezikun e përplasjes aksidentale mes tre fuqive bërthamore të Azisë. /Përshtatur nga “Al Jazeera”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img
- MARKETING - Epoxy Amerikanspot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit