Katër ditë pas samitit midis Donald Trump dhe Vladimir Putin, oficeri më me përvojë i CIA-s për Rusinë, i cili kishte punuar ditë e natë me ekipin e presidentit për t’u përgatitur për takimin, u pushua papritur nga puna.
Washington Post e raportoi këtë pa zbuluar emrin e oficerit për të mbrojtur sigurinë e tij.
Brenda pak minutash, karriera e saj 29-vjeçare në shërbimin publik në thelb mbaroi, ndërsa ajo priste një ngritje në detyrë në Evropë të miratuar nga Drejtori i CIA-s, John Ratcliff.
Shkarkimi do të ishte pjesë e planit të Tulsi Gabbard dhe Trump për të shkarkuar të gjithë profesionistët e sigurisë kombëtare që janë përfshirë në “politizimin e inteligjencës për të çuar përpara axhenda personale, të anshme ose të njëanshme”, siç theksoi Gabbard në X më 19 gusht, duke njoftuar revokimin e autorizimeve të sigurisë të 37 personave me urdhër të presidentit.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje kritike në sigurinë e Ukrainës pas një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, përfshirë mjete të avancuara të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe kontrollit të fushëbetejës, si edhe të marrin pjesë në një mburojë mbrojtëse ajrore të udhëhequr nga Evropa, me një zonë ndalim-fluturimi.
Financial Times raporton se plani i kryeqyteteve perëndimore do të përfshinte një zonë të çmilitarizuar, ndoshta të patrulluar nga paqeruajtës neutralë nga një vend i tretë, për të cilin kanë rënë dakord Kievi dhe Moska. Përtej saj, një kufi shumë më i fuqishëm, i mbrojtur nga trupa ukrainase të armatosura dhe të trajnuara nga NATO. Më në brendësi të vendit, si një linjë e tretë mbrojtjeje, një forcë parandaluese e udhëhequr nga Evropa.
Sipas raportit të Financial Times që citon burime amerikane dhe ukrainase thuhet se SHBA mund të marrë pjesë në një plan të përbashkët me vendet evropiane për të garantuar mbrojtjen e Ukrainës ndaj agresioneve të ardhshme.
Uashingtoni do të ishte gati të kontribuonte me “mundësues strategjikë “, duke përfshirë inteligjencën, mbikëqyrjen dhe zbulimin, komandën dhe kontrollin, dhe asete të mbrojtjes ajrore, për të mbështetur çdo vendosje të udhëhequr nga evropianët në terren. Ndihma amerikane do të ishte vendimtare për mbikëqyrjen e armëpushimit dhe funksionimin e forcave perëndimore në terren.
Donald Trump u tha udhëheqësve evropianë javën e kaluar se Amerika do të jetë pjesë e “koordinimit” të garancive të sigurisë për Ukrainën e pasluftës, diçka që Kievi e ka kërkuar për të penguar një sulm të ardhshëm nga Rusia pas një marrëveshjeje paqeje të mundshme.










