Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka hedhur poshtë pretendimet se shtetasja serbe me inicialet A.M., e arrestuar së fundi në Kroaci nën dyshimet për spiunazh në favor të Serbisë, ka pasur lidhje me Zyrën e Kryeministrit.
“Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar,” ka sqaruar Kryeziu.
Ai tha se “Qeveria e Kosovës i hedh poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit”.
Kryeziu kujtoi se Serbia vitet e fundit ka shtuar aktivitetet e saj të spiunazhit në Kosovë, sidomos pas humbjes së kontrollit në veri nga rrjeti kriminal i Millan Radojiçiqit.
“Ju kujtojmë se në muajin korrik një toger i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, ishte arrestuar mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti. Kurse në shkurt ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Sipas Kryeziut, institucionet e sigurisë në Kosovë “po punojnë me vigjilencë të lartë dhe po i kundërvihen suksesshëm përpjekjeve destabilizuese të Serbisë”.
Duke folur për rastin e fundit, ai tha se autoritetet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me institucionet e Kroacisë.
“Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit.”









