Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Një tjetër rast i tillë ka ndodhur pasditen e 26 gushtit në Prishtinë, ku viktimë ka mbetur një 70-vjeçar.
Në rrugën “Hyzri Talla” ka ndodhur një konflikt mes bashkëshortëve H. M., rreth 70-vjeçar dhe M.M., rreth 66-vjeçare, i cili ka përfunduar me dhunë fizike.
Sipas deklarimit të viktimës, pas një mosmarrëveshje verbale, bashkëshortja e tij fillimisht e kishte goditur me grushte, ndërsa më pas kishte marrë një thikë kuzhine dhe një palë gërshërë, me të cilat kishte tentuar ta sulmonte. Gjatë përpjekjes për t’u mbrojtur, ai kishte pësuar lëndime në dorë, si dhe në pjesën e nofullës dhe kokës.
Viktima ka marrë trajtim mjekësor në QKMF në lagjen “Bregu i Diellit” dhe në QKUK, ndërsa si dëshmitar është marrë edhe djali i tyre.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.









