Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka shpërthyer sot me deklarata të ashpra kundër koalicionit perëndimor, duke hedhur poshtë çdo perspektivë të afërt për bisedime paqeje.
Në një analizë nga korrespondenti i SkyNews në Moskë, Ivor Bennett, përmendet se ky është dita e dytë radhazi që Lavrov përçmon përpjekjet diplomatike të presidentit amerikan Donald Trump për të negociuar një marrëveshje paqeje.
Lavrov e quajti “koalicionin e vullnetarëve” si një grup që po përpiqet të minojë “progresin” që sipas tij është arritur mes Trump dhe Vladimir Putin gjatë takimit të javës së kaluar në Alaskë. Ai akuzoi aleatët e Ukrainës se po “shmangin vëmendjen nga shkaqet e vërteta të luftës”.
“Është e qartë se po përpiqet të fusë një hendek mes Trump dhe udhëheqësve europianë”, tha Bennett.
Ndërkohë, nata e kaluar shënoi sulmin ajror më të madh rus ndaj Ukrainës në mbi një muaj, një veprim që sipas analistit “tregon qartë se Moska nuk ka ndërmend të ndalet, pavarësisht fjalëve për paqe”.
Lavrov shkoi edhe më tej, duke cilësuar çdo diskutim mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, që devijojnë nga kërkesat e Rusisë në bisedimet e Stambollit të vitit 2022, si “të pashpresa”.
Në lidhje me një takim të mundshëm mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Vladimir Putin, Lavrov tha se Putin “është gati të takohet”, por theksoi se “problemet e legjitimitetit” të lidershipit ukrainas duhet të zgjidhen përpara se të nënshkruhet diçka.
Ky ton i ashpër i Moskës, i kombinuar me ofensivën ajrore, shihet si një sinjal se Kremlini synon të forcojë pozicionin e tij në tavolinën e negociatave – duke tentuar njëkohësisht të ndajë Amerikën nga aleatët europianë dhe të shfrytëzojë dilemat politike në Washington.










