Milani nuk shiste, por blinte. Kjo ishte ideja e Silvio Berluskonit që në fillim, në mesin e viteve ’80, kur vetë u fut me forcë në sistemin e futbollit. Dhe i qëndroi besnik kësaj motoje, duke shitur vetëm Rikardo Kakà, por edhe atëherë kur karriera e tij ishte në zbritje dhe ndjesia ishte se epoka e madhe kishte mbaruar.
Jonghong Li shpenzoi, por nuk shiti. Ende nuk dihet mirë me çfarë parash, por kjo është histori tjetër. Më pas erdhi “Eliott”, që vendosi të investojë, të shlyejë borxhet dhe të krijojë një klub të shëndetshëm financiarisht. Kështu, çdo vit pati shitje të rëndësishme, ose pothuajse. Në 10 vitet e fundit u ndoq një politikë kursimi te kuqezinjtë, edhe kur erdhi “Covid-19” dhe shitjet ishin shumë të pakta: 5.1 milionë euro në sezonin 2021-2022; 11.1 milionë euro në sezonin 2022-2023.
Igli Tare është pra shitësi i madh i parë i Milanit në këto 40 vite. Deri tani janë arkëtuar 200 milionë euro, duke llogaritur edhe bonuset, çka e bën qartësisht “tregtarin më të mirë” kuqezi në këtë aspekt. Edhe pa përfshirë Reijnders, drejtori sportiv shqiptar do të ishte sërish mbi vendin e dytë në renditjen historike. Largimet e Okafor për 21 milionë dhe Çau për 35 milionë ndikojnë relativisht pak në formacionin titullar. Sigurisht, për Teo Hernandez mund të bëhej më shumë, por me një vit nga skadenca e kontratës, marrja e 25 milionëve është gjithsesi fitim i arsyeshëm.
“Xhekpoti Tare”
Siç raporton “Corriere dello Sport”, që nga momenti kur firmosi për Milanin më 26 maj, ish-drejtori i Lacios nuk është ndalur për asnjë sekondë, duke riformuar skuadrën kuqezi dhe madje zgjidhur disa transferime të vështira.
Njeriu i ri i merkatos së “Djallit” ka bërë një revolucion të plotë: nga emërimi i Masimiliano Alegrit te shtatë afrimet e zyrtarizuara deri më tani, ndërkohë që pritet raundi i fundit i merkatos së verës.
Pikërisht në merkaton dalëse (shitjet dhe huazimet) është vënë më së shumti re ndikimi i drejtorit sportiv shqiptar, i cili ka arritur të shesë lojtarë për shuma të paimagjinueshme.
Mjafton të thuhet se Milani shiti Malik Çau për rreth 40 milionë euro (me bonuset e përfshira), shumë mbi vlerën e tij reale të merkatos (duke marrë parasysh edhe kontratën 2-vjeçare që i mbetej), duke gjeneruar një “plusvalencë” (fitim) gjigante.
Përveç shitjes me profil të lartë të Tixhani Reijnders, shqiptari gjeti zgjidhje edhe për emra si Kamarda, Bondo, Terraçiano, Liberali, Pobega, Kolombo dhe shumë lojtarë të tjerë që kishin nevojë të luanin diku tjetër.
Shitja përfundimtare e Emerson Rojal te Flamengo për 10 milionë euro ishte një marrëveshje e shkëlqyer. Tashmë duket se do të marrë mbi 20 milionë euro, me bonuset e përfshira, nga Lids Junajtid për Noah Okafor, një tjetër “plusvalencë” e madhe.
Shuma e siguruar tashmë, duke përfshirë huazimet me pagesë, është 165.5 milionë euro, që me bonuset dhe klauzolat e blerjeve mund të arrijë në 200 milionë euro (madje 220 milionë me shitjen e Okafor). Para të freskëta, që kanë vendosur rregull në financat kuqezi.
Drejtori i ri sportiv është dashur gjithashtu të merret me çështjet e komplikuara të Teo Hernandez dhe Majk Menjo. I pari u shit tek Al-Hilal i Simone Inzagit për 25 milionë euro, duke zgjidhur kështu një problem të brendshëm, që nuk mund të shtyhej më. Me pak fjalë, ai ka qenë i jashtëzakonshëm në sektorin e shitjeve.
Shifrat e shitjeve te Milani (në milionë euro):
2025-2026 → 200 milionë euro
2024-2025 → 51.3
2023-2024 → 71.4
2022-2023 → 11.1
2021-2022 → 5.1
2020-2021 → 51.7
2019-2020 → 59.2
2018-2019 → 88.1
2017-2018 → 39.7






