Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar realizimin e katër projekteve të rëndësishme rrugore nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në komunën e Vitisë.
“Rruga alternative për Stubëll, nga rruga Anton Çeta deri te rruga Sejdiu, është njëri nga katër projektet që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i ka realizuar ose po i realizon në komunën e Vitisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas tij, projektet e tjera përfshijnë rrugën Viti – Korbliç – Kaçanik, rrugën Mjak dhe Debelldeh, si dhe rrugën e Vërnakollës. Investimi për rrugën alternative për Stubëll është 822,858 euro, ndërsa vlera totale e investimeve rrugore në Viti gjatë këtij mandati kap vlerën mbi 8 milionë euro.
Kurti thekson se rruga alternative për Stubëll do ta bëjë më të lehtë dhe më të sigurt qarkullimin e banorëve të këtij fshati dhe fshatrave përreth, por edhe të vizitorëve, për shkak të rëndësisë historike dhe kulturore të zonës, ku ndodhet shkolla e parë shqipe në Kosovë dhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore.











