Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje për ceremoninë ku u bë pranimi i autoblindave të reja nga Amerika.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, atasheu i ushtrisë në Ambasadën e SHBA-së, nënkolonel Jonathan Shaë, dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
“Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e FSK-së, duke e pajisur atë me teknologji dhe mjete të avancuara për realizimin e misionit të saj kushtetues”.
Ministri Maqedonci theksoi se mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri ynë strategjik dhe i pazëvendësueshëm, është dëshmi e miqësisë dhe bashkëpunimit të fortë mes dy vendeve tona.
“Me një dedikim të palëkundur ndaj vlerave perëndimore dhe doktrinës së ushtrisë amerikane, ne jemi të angazhuar për një ngritje të qëndrueshme dhe progresive të forcës sonë, duke adoptuar sisteme armatimi në përputhje me standardet e NATO-s”, tha mes tjerash ministri.
“Ky përkushtim siguron që FSK të jetë një forcë e avancuar dhe e ndërveprueshme, e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me ushtritë e vendeve anëtare të aleancës euro-atlantike, për të krijuar një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për gjithë qytetarët tanë”.






