Shteti i fundit diktatorial në Evropë nuk ka të ndalur. Para pak minutash, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, njoftoi për arrestimin e dy shtetasve të Kosovës në pikën kufitare të Hogoshit.
Sipas autoriteteve serbe, arrestimet janë bërë nën pretendimin se të ndaluarit kanë marrë pjesë në betejat e Rahovecit – akuza që në Kosovë po konsiderohen si arbitrare dhe krejtësisht politike.
Eksperti dhe profesori i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si vazhdim të politikave represive të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Ky është një veprim i pastër politik dhe arbitrar, që ka për qëllim frikësimin dhe presionin ndaj kosovarëve. Paralajmërimet e Kryeministrit në detyrë duhet të merren seriozisht, pasi Serbia po dëshmon se nuk ndalet me provokime të tilla,” – ka deklaruar Islami.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa institucionet e Kosovës pritet të dalin me një qëndrim zyrtar.









