Sot bëhen 27 vjet nga rënia heroike e Bekim Berishës – Abeja, një nga figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dha jetën në betejën e Junikut më 10 gusht të vitit 1998.
I lindur më 15 qershor 1966 në Graboc të Pejës, Berisha që në rini kishte shpirtin e luftëtarit. Pas shpërthimit të luftërave në Kroaci e Bosnjë, ai iu bashkua forcave vullnetare për të luftuar kundër regjimit serb – për çka edhe u dekorua me gradën e gjeneralit nga ushtria kroate.
Në fillim të vitit 1998, “Abeja” u kthye në Kosovë dhe iu bashkua UÇK-së. Ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në Açarevë, ku ngriti Akademinë Ushtarake, e më pas u zhvendos në Gllogjan, duke luftuar përkrah Ramush Haradinajt e shumë dëshmorëve të tjerë.
Më 10 gusht 1998, Bekim Berisha ra në fushë të betejës bashkë me luftëtarët Bedri Shala, Elton Zherka, Përmet Vula e Bashkim Leka – duke hyrë përgjithmonë në historinë e lavdishme të luftës për çlirim.
“Serbët nuk donë diplomaci, veç luftë”, ishte një nga thëniet e tij më të njohura gjatë luftës, ku theksonte se me Serbinë marrëdhëniet s’mund të ndërtohen me dialog, por vetëm me vendosmëri: “Zjarr për zjarr.”
Pas luftës, Bekim Berisha u gradua Gjeneralmajor nga TMK, ndërsa sot emri i tij qëndron lart, si simbol i trimërisë dhe sakrificës.









