Ngërçi institucional që ka përfshirë Kosovën pas zgjedhjeve të fundit ka nxitur reagime edhe nga diplomacia amerikane. E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka takuar të enjten kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar për krizën politike të krijuar si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë takim, diplomatja amerikane ka theksuar se bllokimi i procesit të konstituimit të Kuvendit nga partitë politike, përmes taktikave apo pengesave procedurale, dëmton demokracinë në vend.
“U bëjë thirrje të gjithë liderëve që të tejkalojnë ndarjet dhe të përmbushin mandatin që u është besuar nga populli i Kosovës”, ka deklaruar Prattipati.
Ajo e cilësoi urgjente zgjidhjen e kësaj situate, duke kërkuar nga udhëheqësit politikë që të marrin përgjegjësi dhe të bashkëpunojnë për të gjetur një zgjidhje.
“Një demokraci funksionale kërkon që të gjithë qytetarët të kenë mundësinë të zgjedhin lirshëm përfaqësuesit e tyre”, shtoi ajo.









