Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar këtë të martë, më 5 gusht, se rënia e çmimeve të energjisë mund të ushtrojë presion mbi presidentin rus Vladimir Putin për të ndalur luftën në Ukrainë.
“Nëse energjia bie mjaftueshëm, Putini do të ndalojë së vrari njerëz,” tha Trump në një intervistë për CNBC. “Nëse e çon energjinë edhe 10 dollarë për fuçi më poshtë, ai nuk do të ketë zgjidhje tjetër sepse ekonomia e tij është në gjendje të mjerueshme.”
Javën e kaluar, Trump vendosi një afat deri më 8 gusht që Putini të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përndryshe do të përballet me sanksione më të ashpra nga SHBA. Administrata e tij gjithashtu ka ushtruar presion mbi Indinë dhe Kinën për të ndaluar blerjen e naftës ruse.
Trump i tha CNBC-së se rënia e çmimeve të energjisë vinte nga rritja e prodhimit, përfshirë vendet e OPEC -ut dhe të tjera, dhe ai parashikoi ulje të mëtejshme.
“Nëse e vini re, OPEC dhe OPEC+ po shpohen më shumë sepse mendoj se duan të më bëjnë të lumtur,” tha ai, citon Reuters.
Të dielën, OPEC+ ra dakord të rrisë prodhimin e naftës me 547 mijë fuçi në ditë për muajin shtator, rritja më e fundit në një seri përpjekjesh për të rimarrë pjesën e tregut, në një kohë kur shqetësimet për ndërprerje të mundshme të furnizimeve nga Rusia po rriten.
Ky veprim shënon një ndryshim të plotë të reduktimeve më të mëdha të prodhimit të vendeve të OPEC+, si dhe një rritje të veçantë të prodhimit për Emiratet e Bashkuara Arabe, duke arritur gjithsej rreth 2.5 milionë fuçi në ditë, ose rreth 2.4% të kërkesës globale.
Tetë vende anëtare të OPEC+ zhvilluan një takim virtual të shkurtër, në mes të shtimit të presionit nga SHBA-të mbi Indinë për të ndaluar blerjet e naftës ruse, pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për ta sjellë Moskën në tryezën e negociatave për një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) uli javën e kaluar parashikimin e tij për rritjen ekonomike të Rusisë në 0.9% për këtë vit, nga parashikimi i mëparshëm prej 1.5% në prill.








