Aktorja e njohur turke, Sude Zülal Güler, gjendet në Kosovë ku po merr pjesë në edicionin e sivjetshëm të festivalit të famshëm muzikor Sunny Hill, i cili nisi dje, më 1 gusht 2025, dhe do të vazhdojë deri më 3 gusht. Prezenca e saj ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe fansave, të cilët e kanë mirëpritur me shumë entuziazëm.
Sude Zülal Güler është parë e shoqëruar nga një tjetër emër i njohur i kinematografisë turke, aktorja Serra Pirinç. Të dyja aktoret janë fotografuar duke shijuar atmosferën dinamike të festivalit, që këtë vit po mbahet sërish në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Festivali Sunny Hill, i themeluar nga Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, ka sjellë në skenë emra të mëdhenj të muzikës botërore dhe vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon.

Sude Zülal Güler, e njohur për rolet e saj të suksesshme në seriale dhe filma turk, duket se po shfrytëzon këtë rast për të eksploruar kulturën dhe mikpritjen vendore, ndërsa ndjek performancat e artistëve të mëdhenj në një prej skenave më të mëdha të Ballkanit.
Ndjekësit e saj në rrjetet sociale tashmë presin me padurim pamje dhe momente të tjera nga vizita e saj në Kosovë, ndërkohë që festivali sapo ka nisur dhe pritet të sjellë surpriza të shumta deri në natën e fundit.









