Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar ndërtimin e një salle të re luksoze në Shtëpinë e Bardhë, me vlerë 200 milionë dollarë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolina Leavitt, njoftoi projektin në një konferencë për media, duke theksuar se fondet do të sigurohen nga vetë Trump dhe donatorë të paidentifikuar.
“Jemi krenarë të njoftojmë se do të fillojë ndërtimi i sallës së re në Shtëpinë e Bardhë. Për 150 vjet, presidentët, administratat dhe stafi kanë dëshiruar një hapësirë të madhe për evente… Shtëpia e Bardhë nuk është në gjendje të presë evente të mëdha pa ngritur një tendë të madhe dhe të shëmtuar”, tha Leavitt.
Salla e re do të jetë e mbushur me detaje ari, e ngjashme me stilin e klubit Mar-a-Lago në Florida, që Trump shpesh e quante “Shtëpia e Bardhë e Dimrit”.
Ky është vetëm një nga ndryshimet që Trump po bën. Ai ka financuar gjithashtu kopshtin e Trëndafilave, ka shtuar dy shtiza të flamurit 24 metra të larta dhe ka ridekoruar Zyrën Ovale me mobilie të arta.
Ndërtimi pritet të fillojë në shtator, dhe sipas zëdhënëses, do të përfundojë “shumë kohë para përfundimit të mandatit të Trumpit”.










