Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka cilësuar ngërçin politik aktual si një “vetëgrusht-shtet” dhe ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mospranimin e kompromisit, ndryshe nga partitë tjera politike.
Deklaratat e saj u bënë gjatë një tryeze diskutimi me temën “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”, të organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung (FES), Zyra në Prishtinë, dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
“Nuk është që nuk hezitova, sepse nuk është se kemi çfarë të themi më ndryshe nga ajo që kemi thënë deri më tani. Nuk mendoj që është vetëm grushtshtet, por është vetëgrushtshtet. Partia në pushtet po dëshiron të jetë vetë në detyrë, bazuar në rezultatet që i ka marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në katër vjet mandat, e kemi pasur përvojën që nuk e kemi pasur asnjëherë. Në legjislaturën e fundit nuk ka ndodhur që të pranohet as edhe një amendament nga partitë në opozitë. Ku është demokracia këtu?“
“Gjithë partitë kemi ofruar kompromise, vetëm partia që e ka marrë shumicën e votave nuk ka pranuar të bëjë kompromis. Ata insistojnë që Albulena Haxhiu është më e rëndësishme se çdo gjë.”, ka thënë Bajrami.








