spot_img
Saturday, December 13, 2025
spot_img

Sëmundja me karakter kolektiv e shoqërisë sonë

  • Shkruar: Dr. Ylli H. Mehmeti

Ka shumë gjëra që ia faturojmë politikës, qeverisë apo liderëve të rradhës. Është bërë e zakonshme të thuhet se gjithçka është faj i sistemit. Por në këtë vorbull pakush guxon të ndalet dhe të shikojë me thellë – jo nëpër ministri, por në pasqyrë. Sepse problemi ynë, sado të mundohemi ta fshehim pas flamujve, partive dhe krizave të përkohshme, nuk nis dhe nuk mbaron me qeverisjen. Ai ka rrënjë në karakterin individual dhe në strukturën psikologjike të shoqërisë sonë.

Ne jemi një popull që, në vend se të ngazëllehemi për suksesin e tjetrit, ne mërzitemi shumë  . Kemi ndërtuar një klimë kulturore ku përparimi i dikujt tjetër përjetohet si humbje personale. Talenti, përkushtimi apo dijet e tjetrit nuk na frymëzojnë – na irritojnë.

Që të mos ngatërrohemi: kjo nuk është vetëm mungesë e edukatës bazike. Është strukturë karakteriale. Është ai “inat” i heshtur që kultivohet që në fëmijëri, kur një fëmijë “qortohet” pse është më i zoti se të tjerët, ose kur për një arritje thuhet “E ka pasë me ndihmë” apo “Diçka ka pasë pas shpinës”.

Kjo psikologji ka prodhuar një mosbesim të rrënjosur ndaj çdo vlere reale – arritje, profesionalizëm, meritë. Në vend të bashkëpunimit, kultivohet sabotimi. Në vend të konkurrencës së ndershme, intrigat. Dhe si pasojë, në vend të zhvillimit – bllokimi kolektiv.

Mjafton të shohim një ilustrim të freskët: bllokimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit. Në një shoqëri me ndjeshmëri institucionale dhe kulturë politike funksionale, kjo do të ishte një çështje procedurale, e zgjidhur me dinjitet dhe efikasitet.

Por jo në rrethanat tona. Pse? Sepse edhe në politikë, si pasqyrë e shoqërisë, vendos inati, jo arsyeja; rivaliteti personal, jo interesi publik. Zgjedhjet nuk bëhen sipas platformave apo kapaciteteve, por sipas llogarive se kujt “mos me ja lanë me fitu”, “mos me u dukë ai më i zoti”.

Këtu është rrënja e problemit tonë: në mosdurimin ndaj të mirës, në frikën nga aftësia, në sabotimin e çdo procesi që nuk e kontrollojmë personalisht.

Për sa kohë të mos kemi guximin ta shikojmë këtë të vërtetë në sy, do të vazhdojmë të merremi me pasojat, por jo me shkakun. Do të flasim për qeveri, por jo për vetëqeverisjen e karakterit tonë. Do të kritikojmë politikën, por jo kulturën që e prodhon atë.

Sepse po, një shoqëri nuk ndërtohet me njerëz të cilët gëzohen kur tjetri dështon dhe frikësohen kur ai arrin. Nuk ecet përpara me paranojë kolektive dhe xhelozi të trashëguar.

Zhvillimi kërkon respekt për dijen, vullnet për bashkëpunim dhe guxim për ta përmirësuar veten më shumë sesa për ta rrënuar tjetrin.

Koha është që në vend të luftës për dominim, të fillojmë betejën për shërim të brendshëm – të karakterit, të psikologjisë kolektive dhe të mënyrës si e shohim njëri-tjetrin. Shërimi i brendshëm i karakterit kolektiv nuk nis me udhëheqës të mëdhenj, me slogane të mëdha apo me fjalime të zhurmshme në podiume. Ai fillon në mënyrë shumë më të heshtur – me ndershmërinë që secili prej nesh ushtron ndaj vetes. Fillon kur pranojmë se kemi plagë të pashëruara si shoqëri; plagë që vijnë nga frika, nga mungesa e besimit, nga përçmimi i tjetrit dhe nga një histori e gjatë e mbijetesës në vend të jetesës me dinjitet.

Vetëm atëherë, ndoshta, do të mund të zgjedhim jo vetëm një kryetar kuvendi, por edhe një rrugë më të ndritur për veten, vendin dhe fëmijët tanë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit