Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se vendi po përballet me një krizë të rëndë politike, e cila po pengon marrjen e vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e tij.
“Kjo është një krizë dhe jo vetëm politike. Besoj se ky është një moment shumë serioz për Kosovën”, ka thënë Hargreaves në një intervistë për radion serbe “Gorazhdevc”.
Ai ka theksuar nevojën urgjente për formimin e një qeverie funksionale dhe parlamenti të konsoliduar, që do të mund të marrë vendime kyçe për të ardhmen e vendit.
“Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri dhe parlament të formuar siç duhet, të aftë për të marrë vendime të rëndësishme në lidhje me pozitën e Kosovës në botë dhe për fondet që aktualisht ndodhen në parlament, duke pritur të miratohen. Këto fonde nuk mund të përdoren për momentin dhe Kosova rrezikon t’i humbasë ato”, ka shtuar ai.
Duke folur për rolin e Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e bllokadës politike, ambasadori britanik ka shprehur optimizëm të moderuar, por ka theksuar se zgjidhja kërkon vullnet politik.
“Mendoj se jemi ende në fazën e shpresës se Gjykata Kushtetuese do ta zgjidhë këtë çështje. Por në fund të fundit, kjo duhet të zgjidhet politikisht – me kompromis midis partive politike. Ky është thelbi i problemit. Kushtetuta dhe ligji mund të ofrojnë një kornizë, por u takon palëve të bien dakord se si të vazhdojnë”, ka thënë ai.









