Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas operacionit të kërkim-shpëtimit të zhvilluar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit, duke theksuar rëndësinë e koordinimit me aleatët ndërkombëtarë dhe rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në vend.
“Aleanca me NATO-n, në krye me ShBA-në, është qenësore për Kosovën. Vendimet e marra në koordinim me aleatët tanë janë pashmangshëm në favor të shtetit tonë sovran dhe të ardhmes së tij”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai shtoi se “hisedarët e shtetësisë së Kosovës nuk mund të anashkalohen”, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjitha institucioneve dhe aleatëve në vendimmarrje të ndjeshme për vendin.
Haradinaj shprehu mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s dhe trupave të KFOR-it në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, duke përcjellë gjithashtu ngushëllimet për familjen e qytetarit që humbi jetën në këtë rast tragjik.








