Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj ndërhyrjes në Universitetin Shtetëror të Novi Pazarit, duke e cilësuar atë si një tentativë për të shtypur përpjekjet e studentëve boshnjakë për barazi dhe sundim të ligjit.
Kamberi ka theksuar se veprimet e fundit synojnë të portretizojnë pakicat kombëtare si faktorë destabilizues në shoqëri, duke kritikuar ashpër qasjen e autoriteteve.
“Ky është një tregues i qartë i gatishmërisë së regjimit për të heshtur çdo zë kritik dhe për të shuar energjinë rinore,”, ka thënë Kamberi.
Ai ka theksuar se studentët prej muajsh janë duke u përpjekur të çlirojnë institucionet nga ndikimi i strukturave autokratike.
Kamberi ka shtuar se arsyeja për përfshirjen e Novi Pazarit dhe këtij universiteti në këtë skenar është e qartë: “Pse pikërisht Novi Pazari dhe ky universitet? Sepse aty banon një shumicë e konsiderueshme nga komuniteti boshnjak. Është një skenar i njohur nga vitet ’90 – nxitja e tensioneve në zonat e banuara nga pakicat, me qëllim që ato të paraqiten si rrezik për shtetin.”.
Mëngjesin e sotëm, persona të paidentifikuar, të shoqëruar nga përfaqësues të administratës, kanë hyrë në objektin e Universitetit dhe kanë larguar me forcë studentët që ishin të përfshirë në bllokadën e institucionit.








