Pas dështimit të 54-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka reaguar edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Ai tha se tashmë procesi është në dorën e Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, duhet të japë udhëzime të qarta për pasojat juridike dhe hapat e ardhshëm që duhet ndërmarrë.
“Nuk i shfrytëzuam marrëveshjet politike. Tani presim që Kushtetuesja të marrë vendimin për udhëzimet dhe pasojat juridike të këtij procesi. Ne kemi kontribuar për të ndihmuar në zhbllokim. Kjo tani është çështje e mbyllur dhe jemi në një realitet të ri”, deklaroi Limaj.
Ai shtoi se pret nga Kushtetuesja të marrë parasysh interesin publik dhe atë shtetëror, në mënyrë që Kuvendi dhe Qeveria të konstituohen sa më shpejt.
“Jam i bindur se Kushtetuesja do të udhëzojë legjislativin që të mos përsëritet kjo situatë dhe të zgjidhet një herë e mirë çështja e konstituimit”, theksoi ai.









