“Për hir të Allahut dhe për inat nuk duhet me mësuar anglishten e frëngjishten, sepse kanë bërë zullum mbi njerëzimin dhe mbi myslimanët” – ky citim i shkëputur dhe i publikuar në media shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik.
Mirëpo, sipas hoxhës Bedri Halili, i cili për herë të parë rrëfehet për GazetaKosova.net, kjo fjali është keqinterpretuar dhe nxjerrë jashtë kontekstit.
Ai sqaron se qëllimi i tij ka qenë sensibilizimi për ruajtjen e gjuhës shqipe, sidomos tek të rinjtë dhe familjet shqiptare në Kosovë dhe mërgatë.

“Çdo gjuhë është e Zotit. Por kam takuar familje ku fëmijët e klasës së parë e flasin më mirë anglishten sesa shqipen. Kam bërë thirrje për të mbrojtur gjuhën shqipe. Kam cituar disa dijetarë islamë që kanë thënë se nuk është mirë që krejt populli të mësojë anglishten e frëngjishten, pasi këto vende historikisht kanë bërë padrejtësi ndaj myslimanëve. Por unë s’e kam thënë këtë si qëndrim personal, ka qenë një referencë – dhe ajo është keqkuptuar”, shprehet hoxha Halili për GazetaKosova.net
Ai thekson se është ndier shumë i lënduar nga mënyra se si është trajtuar kjo temë në media, pasi ka marrë shumë pyetje nga xhemati në Kosovë e diasporë, veçanërisht nga Gjermania dhe SHBA.
“Xhirimi është bërë jashtë xhamisë, nga shkallët. Sipas xhematit, është prerë pjesa kryesore e ligjëratës dhe është paraqitur si të kisha bërë thirrje për të mos mësuar gjuhë të huaja. Por unë kam bërë thirrje që të mos harrohet gjuha jonë amtare”, thekson ai.
Më 10 nëntor 2023, një ekip i Insajderit kishte shkuar në xhaminë ku shërben hoxha Halili. Ai rrëfen se nuk ka pranuar të japë intervistë, për shkak të keqinformimit që mediat kishin bërë më parë ndaj tij.
“Kanë qëndruar për orë të tëra përreth xhamisë, në kohën e xhumasë, pra mbi 1 orë është sjellë brenda dhe jashtë Xhamisë. Më pas kanë tentuar të futen në dhomën time pa leje. Nuk kam qenë i gatshëm për intervistë, sepse isha në gjendje të rënduar shëndetësore dhe psikike. U kam thënë të largohen së paku 40 herë, por nuk janë larguar. Xhemati u detyrua t’i largojë nga xhamia”, rrëfen ai.
Hoxha shton se nuk ka thirrur policinë menjëherë, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike në atë moment.
“E kam shtyrë gazetaren vetëm për ta larguar nga zyra, jo me qëllim dhune. Policia më pyeti pse nuk i kam thirrur më herët, por isha në depresion dhe i sëmurë. Më vonë, gazetarja ka bërë ankesë dhe kemi shkuar në gjyq më 23 korrik 2025. Gjykatësi Enver Maxhuni tha se gazetarja ka të drejtë të hyjë ku të dojë, por unë e kundërshtova sepse dhoma ku punoj është zyrë private brenda xhamisë dhe nuk mund të hyhet pa leje.”
Një tjetër keqinterpretim, sipas hoxhës Halili, ka ndodhur pas një ligjërate për dasmat në Kosovë, ku kishte kritikuar shpenzimet marramendëse.
“Kam thënë se njoh njerëz që kanë shpenzuar 20, 50 apo edhe 100 mijë euro në dasma, por që vazhdojnë të jetojnë një jetë të shthurur. Fjala ‘kurvar’ është përdorur për raste konkrete, jo për popullin. Kam kërkuar që ato para të shpenzohen për vende pune dhe fabrika. Por gazetarja e paraqiti sikur unë i kam quajtur të gjithë shqiptarët ‘kurvarë’, gjë që është një gënjeshtër e madhe. Nëse do të ishte ashtu, atëherë edhe unë, edhe familja ime do të përfshiheshim aty – dhe kjo është e papranueshme.”
Hoxha Halili thekson se për çdo veprim apo ligjëratë të tij në xhami, është përgjegjës vetëm ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe jo ndaj gazetarëve.

“Pa lejen time, askush nuk ka të drejtë të hyjë në dhomën time të punës. Çdo njeri që hyn në vend të shenjtë pa leje, shkel etikën dhe rregullat e institucionit fetar. Ato që janë raportuar në media si Veriu.info, Insajderi, Express, Sinjali e Jepi Zë janë keqinterpretime që më kanë dëmtuar rëndë moralisht dhe shëndetësisht. Kam pasur edhe një sulm dhe jam përkeqësuar për shkak të stresit të shkaktuar.”
Ai paralajmëron se do të ndjekë rrugë ligjore për mbrojtjen e reputacionit të tij dhe do të padisë mediat që, sipas tij, kanë shpifur dhe keqinterpretuar fjalët e tij.
“Unë nuk kam bërë dhunë, vetëm kam kërkuar të respektohet privatësia dhe e vërteta. Dhe për çdo keqinformim, do të kërkoj drejtësi përmes gjykatës.”












