Bota e sportit është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të legjendës së wrestlingut, Hulk Hogan, në moshën 71-vjeçare.
Ky lajm u përhap përmes faqes së njohur Barstool Sports në rrjetin social X (ish-Twitter), e cila publikoi një foto përkujtimore me mbishkrimin: “Hulk Hogan 1953 – 2025”, duke e përshkruar atë si një ikonë të padiskutueshme të kulturës pop dhe wrestlingut.
Hogan, me emrin e vërtetë Terry Gene Bollea, u bë i famshëm për karrierën e tij të jashtëzakonshme në World Wrestling Entertainment (WWE), ku kontribuoi në kthimin e wrestlingut në një formë të njohur argëtimi familjar në mbarë botën.
Në vitin 1994, ai kaloi në World Championship Wrestling (WCW) dhe ishte një nga themeluesit e grupit legjendar New World Order (nWo), i cili revolucionarizoi wrestlingun gjatë viteve ’90, duke bërë që WCW të tejkalonte për një periudhë WWE-në në shikueshmëri.
Megjithatë, kanë lindur dyshime serioze lidhur me vërtetësinë e këtij lajmi. Sipas raportimeve më të fundit, të datës 22 korrik 2025, Hogan ndodhej në shtëpi duke u rikuperuar nga një operacion i fundit në shpinë. Ky fakt sugjeron se publikimi mund të jetë një lajm i rremë ose një homazh i gabuar i shpërndarë para kohe. Situata ka shkaktuar reagime të përziera në rrjetet sociale, ku fansat kanë shprehur trishtim, por edhe indinjatë për keqinformimin e mundshëm.
Hogan ka pasur probleme të shumta shëndetësore ndër vite, përfshirë operacione të përsëritura në shpinë dhe gjunjë. Megjithatë, deri në ditët e fundit raportohej të ishte në gjendje të qëndrueshme.
Ende nuk ka një konfirmim nga autoritetet dhe as familja e tij për ndarjen nga jeta të WWE, Hulk Hogan.






