Të paktën 38 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës të dielën, teksa lufta po hyn në një fazë edhe më të ashpër, ndërkohë që po intensifikohen përpjekjet për një armëpushim të ri.
Sulmet më të rënda u raportuan në zonën al-Mawasi, ku mijëra civilë të zhvendosur kishin gjetur strehim. Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 80 të vrarë dhe mbi 300 të plagosur, shumica prej tyre civilë.
Ndërkohë, Izraeli ka zgjeruar veprimet ushtarake, duke goditur edhe objektiva të rebelëve Huthi në Jemen, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të tyre të vazhdueshme ndaj shtetit hebre.
Lufta ka marrë përmasa katastrofike – numri i palestinezëve të vrarë ka kaluar tashmë 57 mijë, sipas autoriteteve në Gaza.
Në sfondin e këtij përshkallëzimi, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në Uashington, ku po zhvillon takime me Presidentin amerikan Donald Trump. Ky i fundit ka deklaruar: “Besoj se një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe pauzë 60-ditore në luftime mund të arrihet brenda javës.”
Sipas një drafti të marrëveshjes, Trump pritet të bëjë publike çdo progres para takimit zyrtar me Netanyahun. Nga ana tjetër, Hamasi ka shprehur “frymë pozitive” ndaj propozimit amerikan, megjithatë Izraeli ka refuzuar disa prej kushteve të vendosura nga grupi palestinez.






